Me çfarë motivacioni u bënë Konsuj të Kosovës gruaja e ‘të dënuarit për drogë’ dhe këshilltari i Pacollit?
Kosova ka dy konsuj nderi në Shqipëri, njëri prej të cilëve është këshilltar i Behgjet Pacollit, ndërsa tjetra, që mban pozitën e konsullës së nderit është gruaja e një biznesmeni, për të cilin në mediat e Shqipërisë dhe të Turqisë është raportuar se është dënuar për trafikim droge.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, u ka hequr privilegjet konsujve të nderit në Shqipëri.
Me operacionin e Cakajt ndaj kësaj katergorie të diplomacisë, ranë në sy dy konsujt e nderit të Kosovës që duhet nuk kanë marrë pozitën e tyre aq ndershëm.
Konsullatën e nderit nga Kosova në Shqipëri e përfaqësojnë Mentor Nazarko, këshilltari i ministrit Behgjet Pacolli dhe Mimoza Ndroqi, gruaja e Ylli Ndroqit, biznesmen i njohur në Shqipëri, që sipas raportimeve, është dënuar për trafikim droge.
Por, si u bën këshilltari i Pacollit dhe gruaja e Ndroqit konsuj nderi?
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë për Gazetën Express se Mimoza Ndroqi ka qenë vetëm e propozuar, por nuk është zyrtarisht konsulle e nderit në Shqipëri.
“Mimoza Ndroqi nuk është konsulle e nderit e Kosovës në Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e MPJ’së.
Mirëpo, ndryshe prej asaj që thuhet nga MPJ’ja, Ndroqi në Shqipëri qëndron formalisht si konsulle e nderit nga Kosova.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, emri i saj figuron si një nga dy konsujt e Kosovës.
Në mediat e Shqipërisë është i njohur një proces gjyqësor në të cilin është përfshirë bashkëshorti i saj Ylli Ndroqi, pronar i një televizioni në Shqipëri.
Madje njihet edhe nofka e tij si “Xhamail Pasmaqiu”, që bashkë me një grup tjetër shqiptarësh, në Turqi ishte dënuar për trafikim droge.
Burime të Gazetës Express brenda MPJ’së thonë se Ndroqi ka qenë e propozuar, por informatat për përfshirje të saj dhe të bashkëshoritt të saj në vepra penale ka shtyrë ata të mos formalizojnë emërimin e saj si konsull e nderit.
Ndërkaq për konsull tjetër të nderit, Behgjet Pacolli e ka emrëruar një nga këshilltarët e tij, Mentor Nazarkon.
“Po, Mentor Nazarko është në Korçë dhe nuk ka asnjë implikim financiar në kurrizan të buxhetit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Nazarko ka thënë për Gazetën Express se ai mban me meritë pozitën e marrë nga ministri që ai e këshillon. Tutje, ai përmend pse emri i tij është i duhuri për të qenë konsull i nderit nga Kosova në Shqipëri.
“Unë jam propozim i Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Që nga viti 1993, ka me dhjetëra qindra e mirëja shkrime në aktivitetin mediatik. Kam 5 vite një eksperiencë të jashtëzakonshme si këshilltar i presidentit të Shqipërisë si dhe njihem si një nga personalitet kryesore të medias në Shqipëri. Jam krenar që e kam këtë rol. Kam bërë shumë për zhvillimin dhe afrimin e Shqipërisë me Kosovën. Duke përfshirë këtu edhe organizimn e konferencave për krjimin e Bashimit ekonomik kombëtar”, arsyeton emërimin e tij Nazarko.
Ndërkaq ai thotë se të qenit këshilltar i Pacollit nuk paraqet problem për të qenë edhe konsull nderi. Ai thotë se nuk është këshilltar i përhershëm i kryediplomatit kosovar, dhe ai angazohet si person privat ta ndihmojë shtetin e Kosovës.
“Pozita e këshilltarit të jashtëm i Behxhet Pacollit, është një pozitë e cila nuk më bënë mua pjesë e administratës së Kosovës. Jam këshilltar i Jashtëm dhe vetëm në momentet kur unë angazhohem në favor të shtetit të Kosovës, unë përfshihem. Përndryshe unë jam një person privat që e ndihmojë shtetin e Kosovës. Individualisht me Pacollin jam duke bashkëpunuar që 10 vite”, thotë Nazarko për Express.
Fraksion.com