Basha në Shkodër: E njëjta betejë si më 2 prill 1991
Kreu i PD Lulzim Basha deklaroi sot nga Shkodra ku u kujtua masakra e 2 prillit 1991 se e gjithë Shqipëria nën shembullin e këtij qyteti po bëhet gati të përzërë regjimin e hajnit.
Ai tha se mostra që shkaktoi 2 prillin nuk ka vdekur por po përpëlitet si bishë e plagosur dhe ndaj sot Shkodra dhe Shqipëria janë thirrur nga historia.
“Shkodra e ka shkishëruar shitblerjen e votës. Shkodra do ta bëjë hasha këdo që shet e blen votën. E gjithë Shqipëria po bëhet gati nën shembullin e Shkodrës ta përzërë regjimin e hajnit.
Sot është dita që t’ju drejtohem shkodranëve me mirënjohjen më të thellë dhe t’ju them Shkodrës dhe shkodranëve jeni dhe duhet të jeni krenarë për këtë çmim kaq të lavdishëm që keni vendosur në altarin e lirisë dhe demokracisë. Mostra që shkaktoi 4 dëshmorët e 2 prillit dhe qindra të plagosur nuk ka vdekur. Ajo po përpëlitet si bishë e plagosur. Shkodra është e thirrur nga historia, Shqipëria është e thirrur nga historia me sytë nga e ardhmja. Ne do të jemi në lartësinë e misionit, në thirrjen e pavdekshme ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’”, deklaroi Basha.