AktualitetRajoniTë fundit

Shkup, hapet konferenca rajonale për menaxhim të integruar kufitar

Kryeministri Zoran Zaev tha se Ballkani Perëndimor është derë hyrëse për në BE dhe kështu është pika kryesore e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare

Misioni i OSBE-së në Shkup organizon konferencë rajonale me temë “Përforcimi i kapaciteteve të Qendrave të koordinuara për menaxhim të integruar kufitar” që do të mbahet me datat 1-2 prill, ndërsa konferencën e hapën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja.

Kryeministri Zaev tha se pjesë e realitetit modern janë edhe aktivitetet e kundërligjshme ndërkufitare, ndaj të cilave nevojitet përgjigje përkatëse. Zaev gjithashtu tha se lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve nëpër kufijtë duhet të jetë maksimalisht efikase, por theksoi se masat për luftimin e krimit të organizuar duhet të jenë dyfish më efikase.

“Përgjigje efikase ndaj këtyre çështjeve jep menaxhimi i integruar kufitar në nivel nacional. Për shkak se bëhet fjalë për fenomene globale me të cilat përballen të gjitha vendet e rajonit tonë, bëhet imperativ nevoja për bashkëpunim në sfidat e përbashkëta kufitare dhe të sigurisë, si çështje kyçe e përmirësimit të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shtoi se Ballkani Perëndimor është derë hyrëse për në Bashkimin Evropian (BE) dhe kështu është pika kryesore e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, siç janë krimi i organizuar, emigrimi ilegal, tregtia me njerëz, armë dhe drogë, por edhe terrorizmi.

Ndërkohë, shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja, tha se konferenca ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe, siç theksoi ai, bashkëpunimin rajonal në shkëmbimin e informatave në luftën ndaj kriminalitetit ndërkufitar.

“Në këtë konferencë do të diskutohen mënyrat për të rritur efikasitetin e shkëmbimit të informatave dhe të dhënave në rajon, si dhe do të shkëmbejmë eksperiencat. Gjithashtu do të diskutohet rreth përmirësimit të standardeve profesionale të zyrtarëve të kontrollit kufitar në rajon”, tha Koja.

Gjatë hapjes së konferencës rajonale, të pranishmëve ju drejtua edhe udhëheqësi i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski, i cili tha se institucioni me të cilin udhëheq ai, mbështet konceptin për menaxhim të integruar kufitar, pasi përmes këtij koncepti arrihet baraspeshë mes kontrollit të kufijve dhe lëvizjes së lirë të mallrave dhe qytetarëve./AA

 

Fraksion.com