Komediani sfidon presidentin në detyrë; Balotazh në Ukrainë
Në Ukrainë Volodymyr Zelen, një komedian pa aspak eksperiencë politike ka fituar shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, sipas “exit poll”-eve të para.
Volodymyr Zelenskiy, i cili ka luajtur rolin e presidentit në një shfaqje televizive, ka siguruar 30.4 për qind të votave të ukrainasve, ndërsa presidenti në detyrë, Petro Poroshenko u rendit i dyti me vetëm 17.8 për qind të votave. Të dy ata kanë një të përbashkët, teksa kanë shprehur përgjithësisht qëndrime proeuropiane. Tashmë, ata do të përballen me njëri-tjetrin në balotazhin që do të zhvillohet muajin e ardhshëm.
Ndryshe nga ata, ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko duket të jetë eliminuar që në këtë raund, pasi projektohet të sigurojë vetëm 14.2 për qind të votave.
“Jam shumë i lumtur, por ky nuk është rezultati përfundimtar”, tha Zelenskiy vetëm pak minuta pasi u publikuan rezultatet e “exit poll”-eve, ndërsa Poroshenko e përshkroi vendin e tij të dytë në projektim si një “leksion të rëndë”.
Ministria e Brendshme ukrainase ka njoftuar se janë raportuar qindra shkelje zgjedhore, por monitoruesit e huaj thonë se votimi ka shkuar qetësisht. Në këtë raund të parë ishin 39 kandidatë në fletën e votimit, por asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte mbi 50% të votave që do të shpallej menjëherë president i ri, ndaj dhe dy më të votuarit do të shkojnë tashmë në balotazhin e 21 prillit.
Presidenti ukrainas nuk është një figurë pa fuqi domethënëse, pasi ka ndikim të madh në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikat e jashtme, në ish-republikën sovjetike që ka një sistem gjysmëpresidencial.
Fraksion.com