AktualitetRajoniTë fundit

Italia ofron 30 mijë kuota për punë sezonale, për vitin 2019

Bazuar në dekretin flukseve 2019, në Itali vihen në dispozicion 30 mijë kuota për punë të varur sezonale të punonjësve të huaj, ndër të cilat edhe shqiptarët, si dhe konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune, së të huajve tashmë rezidentë në Itali.

Ky informacion u dha, në një intervistë me Radion Radikale, nga ministri i brendshëm Matteo Salvini, i cili konfirmoi të njëjtat kuota të vitit të shkuar.

Megjithatë, vitin e shkuar shifra e saktë ishte 30 850 kuota, ndërsa këtë vit shifra është dhënë me përafërsi, duke qenë se nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare.

Italia ka disa vite që parashikon programet e punës sezonale për extra-komunitarët. Një tjetër vend në rajon që ofron punë sezonale, është Kroacia.

Vitin e kaluar, qeveria kroate rriti numrin e lejeve të punës për të huajt në turizëm dhe shërbimin e restoranteve për 2018, nga 4660 në 8660, shkruan ‘monitor’.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italiane, 30 mijë kuotat janë të ndara përafërsisht si më poshtë:

-18.000 për punonjës sezonale për sektorin bujqësor dhe atë turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.

-500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

-rreth 100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

-rreth 3000 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të hapin aktivitetin privat në Itali apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Për të gjitha llojet e hyrjeve dhe konvertimeve, do të mund të paraqiten kërkesa deri në 31 dhjetor 2019.

 

Fraksion.com