Gjykatat e Kosovës marrin përsipër lëndët e EULEX-it për krime lufte
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që monitoron proceset gjyqësore për krimet e luftës, ka mirëpritur vendimin e organeve të drejtësisë që në kuadër të strategjisë së punës të sistemit të drejtësisë, të funksionojë departamenti për trajtimin e krimeve të luftës.
Aktualisht, me rastet e dyshuara për krime lufte po merret një Gjykatë Speciale me seli në Hagë, por e cila kryesisht trajton vetëm krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj civilëve serbë dhe civilëve tjerë gjatë viteve 1998-‘99.
Kurse, departamenti për krime lufte në Kosovë, pritet të trajtojë edhe rastet tjera, në të cilat mund të jenë të përfshirë edhe pjesëtarët serbë që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve. Megjithatë, numri më i madh i personave që dyshohen të jenë përfshirë në këto krime, besohet se jetojnë në Serbi, andaj kjo edhe e vështirëson punën e këtij departamenti, marrë parasysh bashkëpunimin e ulët që kanë institucionet e drejtësisë në të dy shtetet.
Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, tha për Radion Evropa e Lirë, se që nga viti 2012, organizata ka rekomanduar që në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, duhet të funksionojë departamenti për krime të luftës.
“Ashtu si të gjitha shtetet e rajonit, të cilat kanë krijuar një gjykatë të posaçme që merret me gjykimin e krimeve të luftës, ashtu edhe Kosova ka pasur nevojë që të krijojë një departament apo një gjykatë, e cila merret me gjykimin e krimeve të luftës, pasi që krimet janë në numër të madh dhe kemi mijëra viktima. Ka nevojë për gjyqtarë, të cilët do të profesionalizohen në këtë fushë dhe të merren vetëm me këto raste”, tha Alija.
Strategjia për trajtimin e krimeve të luftës tashmë parasheh përforcimin e Departamentit për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale me gjithsej pesë prokurorë dhe stafin mbështetës, të cilët do t’iu shërbejnë prokurorëve në trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës.
Zyrtarët e lartë nga Prokuroria Speciale e Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se tash është duke u punuar për rastet e krimeve të luftës në Kosovë.
Prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tha se në planin strategjik dhe në planin prokurorial është vendosur që të formohet departamenti për krime të luftës.
“Për momentin janë tre prokurorë…, është një konkurs i hapur, sigurisht që do të forcohet, sepse ka nevojë dhe ju e dini se përveç lëndëve të pakryera, tash na kanë ardhur edhe një numër i konsiderueshëm i lëndëve nga EULEX-i, kështu që ka nevojë të forcohet ky departament për ndriçimin e këtyre rasteve”, tha Syla.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka marrë kompetencat ekskluzive në qershor të vitit 2018 për t’i hetuar dhe ndjekur krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të së drejtës humanitare ndërkombëtare.
Prokurori Syla thotë se vetë Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ndërmarrë nismën që të ketë një departament të tillë për të hetuar rastet.
“Ne vetë e kemi paraparë që të ketë departament të tilla edhe të shkojmë kah profilizimi i prokurorëve dhe ta kemi një punë më të suksesshëm në kuadër të Prokurorisë Speciale”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se për vite më radh; është kërkuar që në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, të diskutohet edhe për temën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
“Ne kërkojmë që ata shtetas dhe provat, të cilat i grumbullon Kosova, të gjinden një formë që përmes bashkësisë ndërkombëtare të dërgohen në Serbi dhe ata shtetas të gjykohen në Serbi”, theksoi Alija.
Kurse, duke folur për këtë çështje, prokurori Hoxha tha se për këtë çështje duhet të ketë një bashkëpunim ndërshtetëror.
“Dy shtete duhet të merren vesh. Sigurisht se është në interes, por deri tani nuk kemi pasur aso bashkëpunimi”, tha Hoxha.
Po në lidhje me gjykimin e rasteve që ndërlidhen me krimet e luftës, shoqata ‘Familja dhe Shpresa’, përmes një reagim publik, tregon se ka tre vjet që kur u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me kërkesa publike që të plotësohet Ligji për Gjykatën Speciale për t’i gjykuar krimet e Serbisë.
Përmes këtij reagimi, kjo shoqatë kritikon deputetët dhe liderët e Kosovës, duke u thënë se përveç vizitave nëpër varreza, nuk kanë bërë asgjë për ndryshimet ligjore që do t’u mundësonin organeve të drejtësisë të merren me gjykimin e rasteve që ndërlidhen me këto krime.
Ndryshe, rastet e krimeve të rënda ishin në kompetencë të prokurorëve të UNMIK-ut dhe më pastaj kishin kaluar në kompetencë të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
Në kuadër të kësaj strategjie, synohet të hetohen dhe të ndiqen penalisht të gjithë personat, të cilët kanë kryer krime lufte në kundërshtim me të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999 në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat./REL
Fraksion.com