Edhe Stambolli ndëshkon Erdoganin
Zgjedhjet lokale të Turqisë kanë prodhuar një goditje befasuese për presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe partinë e tij AK e cila ka humbur bastionin e saj Ankaranë.
Edhe pse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdogan arriti të marrë mbi 51% të votave në rang kombëtar nuk ka mundur dot të fitojë qytetet e mëdha të vendit përfshirë edhe Izmirin, i fituar nga koalicioni opozitar.
Nisur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kandidati i Partisë Republikane Popullore Mansur Yavas ka fituar bindshëm përballë atij të AKP-së. Ndërsa në Stamboll gara mes dy kandidatëve vijon të jetë tejet e ngushtë edhe pse secili pre tyre ka shpallur fitoren.
Kur janë numëruar 99.81 për qind e qendrave të votimit në mbarë Turqinë, Erdogan duket sikur po humb edhe kontrollin e Stambollit, në atë që përbën goditjen më të fortë ndaj pushtetit të tij në 16 vitet e fundit.
Një gazetar i shquar turk, Rusen Çakir tha se rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte “po aq historik sa ai i vitit 1994”, duke iu referuar kështu vitit kur Erdogani u zgjodh kryebashkiak i Stambollit.
Është pikërisht qyteti me popullsinë më të madhe në Turqi, ai që shtrihet njëkohësisht në dy kontinente, Europë e Azi, kryeqendra e tregtisë detare e jo vetëm, ai që bie pas kryeqytetit Ankara dhe qytetit të tretë më të madh, Izmir.
Stambolli shërbeu dikur si trampolinë për ta ngjitur drejt politikës, pa e ditur se kryebashkiaku i atëhershëm do të kthehej në figurën më të rëndësishme që do të dominonte pushtetin në 16 vite, derisa u bë edhe president me fuqi të shtuara ekzekutive, pas referendumit të një viti më parë.
“Njerëzit votuan në favor të demokracisë. Ata zgjodhën demokracinë mbi gjithçka”, deklaroi udhëheqësi i opozitës pas fitores në Izmir.
Këto zgjedhje janë parë edhe si një referendum për kreun e shtetit Erdogan dhe partinë e tij në një kohë që vendi po përballet me një sërë problemesh ekonomike si recesioni, zhvlerësimi i monedhës dhe rritja e inflacionit. Pavarësisht zotimit të Erdogan për përmirësimin e ekonomisë turke deri në vitin 2023 kur janë planifikuar të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale kjo është goditja më e madhe që partia e tij me rrënjë në politikën islame merr pas fitoreve të njëpasnjëshme që nga ardhja në pushtet në 2002-in.
Me gjithë kritikën ndaj zgjedhjeve veçanërisht nga Partia Demokratike e Popullit pro-kurd pjesëmarrja është konsideruar e lartë pasi në votime morën pjesë mbi 85% e qytetarëve me të drejtë vote.
Fraksion.com