Berlusconi do të garojë për deputet në Parlamentin Evropian
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi tha se ai do të garojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që mbahen në muajin maj, pasi, siç u shpreh ai, dëshiron që të luftojë për një BE më të bashkuar.
Berlusconi, 82-vjeçar, e bëri publik lajmin për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, gjatë konventës së partisë së tij të qendrës së djathtë Forza Italia, e cila ka humbur mbështetjen viteve të fundit, për shkak se votuesit kanë zgjedhur parti të tjera të djathta, që kanë diskurs anti-migrantëve dhe janë euroskeptikë, siç është Partia Liga. Kjo parti udhëheqë me Italinë dhe është në koalicion me lëvizjen Pesë Yjet.
Partitë e koalicionit qeverisës në Itali dëshirojnë që të ndalin procesin e integrimit evropian dhe që fuqia të rikthehet te qeveritë e shteteve të BE-së.
Por, Berlusconi tha se dëshiron pikërisht të kundërtën. Ai tha se dëshiron që Evropa të “rikthehet në projektet e themeluesve të saj, të cilët dëshironin një Evropë më të bashkuar, një Evropë me një politikë të jashtme të përbashkët dhe me një politikë të përbashkët të mbrojtjes”.
Berlusconi tha se nëse Evropa bashkohet ushtarakisht, atëherë do të ishte “fuqi” e madhe botërore.
Berlusconi, që ka shërbyer për tri mandante si kryeministër i Italisë, në muajin janar fillimisht e kishte përmendur mundësinë e garimit në zgjedhjet evropiane.
Për gati pesë vjet, Berlusconit i ishte ndaluar që të garonte për ndonjë post publik, pasi ishte dënuar për mashtrim me taksa. Por, vitin e kaluar, një gjykatë vendosi që t’ia heqë këtë ndalesë.
Fraksion.com