Trump: Iluzionit për bashkëpunim me Rusinë i ka ardhur fundi
Në tubimin e tij të parë, prej kur janë bërë të ditura disa detaje të raportit të Këshilltarit Special, Robert Mueller, presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar kundërshtarët e tij politikë, dhe ka përsëritur prentedimin se raporti e ka “shfajësuar atë plotësisht”.
Në një përmbledhje të raportit të publikuar nga Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, është thënë se Mueller nuk ka gjetur se ka pasur ndonjë bashkëpunim mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë, mirëpo ai nuk e ka shfajësuar Trumpin për pengim të drejtësisë.
Në një fjalim 90-minutësh në Miçigen, Trump ka përdorur gjuhë të ashpër për të sulmuar hetimet
“Pas tre vjetëve të gënjeshtrave dhe shpifjeve, hetimet qesharake për Rusinë tani kanë vdekur. Iluzionit për bashkëpunim i ka ardhur fundi”, ka thënë Trump para mijëra personave.
Përveç kësaj, Trump e ka quajtur hetimin “plan të atyre që kanë humbur zgjedhjet për të tentuar që të fitojnë fuqinë duke dëmtuar amerikanët e pafajshëm”.
Hetimet e Muellerit, që kanë zgjatur 22 muaj, kanë rezultuar me ngritjen e padive për 34 njerëz, përfshirë gjashtë ish-ndihmës të Trumpit dhe disa rusë, si dhe tri kompani.
Megjithatë, asnjë nga këto akuza nuk është lidhur drejtpërdrejt me akuzat për bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Fraksion.com