Përse shkon Papa në Marok këtë fundjavë? Vatikani zbulon planin
Papa Françesku do të bëjë një udhëtim rrufe në Marok këtë fundjavë për të nxitur dialogun ndërfetar dhe për të mbështetur përpjekjet e mbretit të vendit të Afrikës së Veriut, Mohammed VI, për të përhapur një formë të moderuar të Islamit.
Pak pasi të arrijë të shtunën, Francesku dhe mbreti do të vizitojnë një institut të themeluar në vitin 2015 për trajnimin e imamëve dhe predikuesve meshkuj dhe femra të Islamit. Vatikani tha se do të jetë hera e parë që një papë viziton një shkollë të tillë. Mbreti themeloi shkollën, e cila ka marrë emrin e tij dhe frekuentohet nga studentë nga Afrika dhe Evropa.
“Mbreti është shumë i përkushtuar që të përmbajë tendenca fundamentaliste dhe ky është një vend shumë i rëndësishëm jo vetëm për Marokun, por për të gjithë Magrebin”, u tha gazetarëve në një konferencë për udhëtimin të enjten, zëdhënësi i Vatikanit, Alessandro Gisotti.
Dy imam studentë – një nga Evropa dhe një nga Afrika – do t’i tregojnë Papës dhe mbretit përvojat e tyre në këtë universitet.
Në një mesazh video për marokenët, Francesku tha se po bënte udhëtimin si një “pelegrin paqeje dhe vëllazërie, në një botë që ka nevojë të madhe për të dyja”. Ai tha se të krishterët dhe myslimanët duhej të respektonin diversitetin e njëri-tjetrit dhe të ndihmonin njëri-tjetrin.
Fraksion.com