AktualitetTë fundit

Kollçaku: FA të angazhuara maksimalisht në misionet e NATO-s

Shqipëria është një nga partnerët me rëndësi në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), duke luajtur edhe një rol në misionet paqëruajtëse që kjo organizatë zhvillon në shumë vende të botës.

Në kuadër të 10-vjetorit të aderimit të Shqipërisë në NATO, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku gjatë një interviste televizive u shpreh se “Forcat e Armatosura Shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në të gjitha misionet e Aleancës së NATO-s, duke filluar nga Afganistani i largët, në detin Egje, në Letoni, në Kosovë”.

Kollçaku foli edhe për misionet e ndryshme si dhe operacionet ku Forcat e Armatosura Shqiptare kanë qenë pjesë.

“Ne kemi qenë në vijën e frontit të Aleancës, angazhimet tona janë të qenësishme jo vetëm në proporcion me numrin e forcave të armatosura, por dhe nga roli dhe detyra që ne kemi kryer në këto operacione, i cili është nga më të rëndësishmet për Aleancën, duke filluar që nga ato luftarake, me forcat speciale, por dhe operacione të tjera me kapacitete shumë të veçanta, apo forca të sigurisë, forca që janë vlerësuar maksimalisht nga Aleanca”, – theksoi ai.

Gjatë kësaj interviste, Kollçaku kujtoi edhe dëshmorin e parë të Shqipërisë i rënë në vitin 2012 me pjesëmarrjen e tij në Afganistan, kapiten Feti Vogli.

Ne theksoi ai “e kemi shkruar historinë e angazhimit me gjakun e tij, si dhe me kontributin e të gjithë ushtarakëve në këto 10 vjet si anëtar. Nesër do të jetë një ditë me shumë organizime, ku do të organizohet një konferencë shkencore, do të jetë një demonstrim, një parakalim i flamujve të pothuajse të gjithë anëtarëve të NATO-s. Një pjesëmarrje masive e Forcave të Armatosura, e mjeteve dhe armatimit që kemi, do të ekspozohen në shesh”.

Ai iu bëri thirrje të gjithë ish-ushtarakëve si dhe qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij organizimi.

 

Fraksion.com