10 vjet në NATO, Xhaçka: Shqipëria aset strategjik në rajon
Një dekadë pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ia ka dalë të jetë një partner i besueshëm dhe një aset strategjik në rajon për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Me këto fjalë, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka iu drejtua përfaqësuesve nga vendet anëtare të Aleancës, të ftuar në një mbrëmje gala që i paraprin disa aktiviteteve që do të mbahen më 29 mars me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
“10 vjet më parë Shqipëria u pranua si anëtare e Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia. Sot, një dekadë më pas, unë jam shumë krenare që ne, jo vetëm e kemi justifikuar atë besim, por falë punës e kontributit tonë, ia kemi dalë të kthehemi në një partner të besueshëm dhe një aset strategjik për Aleancën në rajon. Një partner që jo vetëm po punon për të përmbushur detyrimet e tij ndaj NATO, por që në këto 10 vite ka treguar vazhdimisht që është i gatshëm dhe i aftë të kompensojë me dedikim dhe profesionalizëm edhe ato që mund të konsiderohen si mungesa a kufizime”, – theksoi, gjatë fjalës së mirëseardhjes, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
“U deshën vite e dekada të tëra pune për të përmbushur kushtet për anëtarësimin në NATO. Sigurisht që nuk ishte e lehtë, sepse Shqipëria që ëndërroi për herë të parë ëndrrën e anëtarësimit në Aleancë ishte një vend i rrënuar, i sapodalë nga 5 dekada të një regjimi të egër, që në terma vlerash e vizioni për botën e për shoqërinë përfaqësonte antitezën e çdo gjëje që përfaqëson NATO”, – shtoi ministrja Xhaçka.
Duke theksuar se është dashur shumë e shumë punë në këto 10 vjet për të vazhduar transformimin e Forcave të Armatosura, ministrja Xhaçka shtoi se NATO është një aleancë vlerash dhe vendesh që i bashkon, jo vetëm kërkesa për siguri, por edhe besimi tek vlerat e humanizmit, drejtësisë dhe demokracisë.
Ministrja e Mbrojtjes foli edhe për sfidat e së ardhmes, me të cilat përballet sot Aleanca. “Sot jetojmë në një moment ndryshimesh të mëdha historike, që padyshim do të na përballin me shumë sfida e kërcënime ndaj sigurisë. Do të na përballin me nevojën për t’u përshtatur e për të reaguar. Dhe unë nuk kam asnjë dyshim, që ashtu siç ka bërë gjatë 70 vjetëve të ekzistencës së saj, NATO do të dijë sërish të ndryshojë e të përshtatet ndaj çdo krize e çdo kërcënimi. Sepse kjo është një aleancë e ndërtuar jo mbi konveniencën apo frikën e momentit”, – u shpreh më tej ministrja e Mbrojtjes.
Ministrja Xhaçka i adresoi një falënderim të veçantë partnerëve dhe aleatëve strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italisë, Greqisë, Turqisë, por edhe Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe çdo vendi që ka kontribuar në forcimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Fraksion.com