AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita proteston sot para Parlamentit; Militantët nisen nga rrethet drejt Tiranës

Sot opozita do të zhvillojë  protestën e radhës para parlamentit kundër qeverisë.

Protesta është parashikuar të nisë në orën 9:30, ndërsa në orën 10 do të fillojë edhe seanca parlamentare.

PD-LSI kanë paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.

Nga 16 shkurti opozita ka organizuar 6 protesta para Kryeministrisë dhe parlamentit. E fundit ishte më 21 mars.

Opozita ka dorëzuar mandatet parlamentare, një pjesë e të cilave janë zëvendësuar nga deputetë të rinj, kandidatë të listave të PD dhe LSI të 2017.

Nërkohë anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në Fier janë nisur drejt Tiranës që në orët e para të mëngjesit.

Kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi, tha se protesta e radhës do të jetë para një parlamenti që nuk e njohim.

“Parlament fals, i mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Nuk do të lejojmë të zhvillohet një parlament i rregullt.

Protesta do të kulmojë në 13 prill. Nga këto protesta popullore kryeministri Rama duhet t’i thërrasë mendjes pasi protestat janë qytetare.

Betimi i deputetëve të rinj është një lojë e mazhorancës së sotme që kërkon të krijojë një opozitë false”, tha Baçi.

 

Fraksion.com