Kërcen dollari në tregun vendas, arrin nivelin më të lartë nga janari 2018
Monedha e gjelbër ka kërcyer sot në tregun e brendshëm. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 111.4 lekë, me një rritje prej 0.31 lekë në krahasim me ditën e mëparshme.
Ky është niveli më i lartë i dollarit në tregun e brendshëm që prej fillimit të janarit 2018, kur monedha e gjelbër këmbehej me 111.84 lekë. Më pas dollari filloi rënien, duke zbritur deri në 104.3 lekë në prill të 2018-n, si reflektim i nënçmimit të euros dhe monedhave të tjera të shportës ndaj lekut. Më pas dollari rikuperoi, duke u luhatur mes 106-110 lekëve për të arritur në ditën e sotme, ku kërceu mbi 11 lekë.
Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, rritja e dollarit ditët e fundit është e lidhur së pari me forcimin e tij në bursat ndërkombëtare ndaj euros. Një euro zbriti në 1.12 dollarë nga 1.14 në fillim të muajit, pasi banka Qendrore Europiane dha sinjale se synon që të mbajë normat e ulët atë interesit për një kohë më të gjatë.
Indeksi i dollarit kundrejt një shporte prej 6 monedhash kryesore fitoi 0.4 për qind në 97.155 , duke shënuar ditën e tretë radhazi me rritje dhe nivelin më të mirë që nga 12 marsi.
Faktori i dytë lidhet me faktin që euro këtë muaj ka qenë relativisht e fortë në tregun e brendshëm si rrjedhojë e kërkesës për monedhën e përbashkët. Këtë e tregon dhe fakti që ndonëse në bursa euro ka rënë, në tregun e brendshëm ajo ka shënuar një forcim të lehtë. Ditën e sotme, një euro u këmbye me 125.37 lekë, me një rritje të lehtë prej 0.02 lekësh në raport me vitin e mëparshëm. (mos rënia e euros ka mbajtur dhe dollarin e lartë në mënyrë që të ruhen raportet e kryqëzuara me bursat ndërkombëtare).
Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për euro nga bizneset ka qenë arsyeja kryesore që ka frenuar rënien e monedhës së përbashkët në tregun e brendshëm, ndonëse ajo është nënçmuar në bursa./Monitor
Fraksion.com