Gazetarët e “Mother Jones”: Duam hetime për “Biniatta Trade”
Zyrtarisht Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk komentoi lidhur me kërkesën e “Top Story”, nëse ka një hetim ndaj kontratës së marsit 2017 mes “Muzin Capitol Partners” dhe “Binniata Trade”, që sipas dokumenteve zyrtare financoi lobimin për llogari të Partisë Demokratike.
“S’ka asnjë hetim nga qeveria amerikane. Do të ishte interesante po të kishte. Lajmi i Biniattës duket sikur është për një parti shqiptare që përpiqet të fitojë ndikim në SHBA dhe të fitojë mbështetje duke u paguar nga parti ruse. Për mua, ky është një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë. I rëndësishëm për ne, në SHBA. Por më tregoi gjithashtu që është një botë me parà të dyshimta. Kemi me dhjetëra mijëra, ndoshta qindra mijëra me kompani guaskë ‘offshore’ që hapen në të gjithë botën. Ato pastrojnë parà për arsye biznesi dhe për arsye kriminale. Por i pastrojnë paratë edhe për arsye politike…”, tha David Corn, kryeredaktor i “Mother Jones”.
“Zakonisht nëse dikush është nën hetim, kjo gjë mbahet e fshehtë, qoftë nga Departamenti apo edhe FBI. Por, a dua unë që kjo çështje të hetohet? Në fakt do të doja shumë të merrja përgjigje për pyetjet që kemi shtruar, sepse qeveria ka pushtetin që të kërkojë disa përgjigje që unë nuk mundem. Nëse Departamenti i Drejtësisë ka dyshime se Nick Muzin ka shkelur ligjet e regjistrimit të agjentëve të huaj të lobimit, sa i përket punës së tij me PD-në apo ‘Binniata Trade’, besoj se ata duhet të hetojnë. Por nuk kam dijeni nëse kjo po ndodh”, tha Hannah Levintova, gazetare e revistës “Mother Jones”.
Fraksion.com