BE nuk shpëton më refugjatët në Detin Mesdhe; Mbyll misionin “Sophia”
BE i jep fund shpëtimit të përbashkët të refugjatëve në rrezik jete në Detin Mesdhe me fundin e misionit “Sophia”. Para zgjedhjeve europiane kjo është prova e dështimit të politikës së migracionit, shkruan Bernd Riegert për DW.
Fundi i misionit të marinës së BE me emrin “Sophia” e bën edhe një herë të qartë gjendjen e mjerueshme të politikës së migracionit të Bashkimit Europian. Nuk mund të flitet më në BE për unitet, qëndrim të përbashkët apo solidaritet. “Sophia” ishte përpjekja e fundit e përbashkët për të dobësuar bandat e kontrabandistëve nga Libia dhe për të ngritur diçka si një roje bregdetare libiane. Në lëvizje e sipër anijet e BE kanë shpëtuar në katër vitet e fundit dhjetëra mijëra njerëz në rrezik jete në det, duke i çuar në shumicën e rasteve në Itali. Në vitin 2015 Italia kishte rënë dakord që të lejonte të gjithë ata që shpëtoheshin të shkelnin portet e saj. Por italianët nuk besuan më se e përballonin numrin papritmas shumë të lartë të migrantëve.
Interesi kombëtar para përgjegjësisë humanitare
Që para dy vjetësh qeveria e atëhershme socialdemokrate në Romë kërkonte shpërndarjen e refugjatëve tek vendet e tjera të BE. Por shtetet e tjera anëtare nuk e pranonin këtë, jo vetëm Hungaria dhe Polonia. Në verën e vitit 2018, pas kësaj qevria e re populiste veproi radikalisht dhe i mbylli portet edhe për të shpëtuarit e anijeve të misionit “Sophia”. Ministri radikal i djathtë, Matteo Salvini veproi pa asgjë skrupull dhe për këtë e festojnë në vendin e tij, si njeriu që ia tregoi vendin BE-së. Misioni do të mbyllet përveç një vëzhgimi simbolik nga ajri.
Një dëshmi e dobësisë dhe provë se në BE interesi kombëtar në politikën e migracionit vihet para përgjegjësisë humanitare. Çfarë do të ndodhë tani me njerëzit që marrin rrugën me gomone të papërshtatshme për të dalë në det të hapur nga Afrika e Veriut me synim Europën e ëndrrave? Do të mbyten edhe më shumë njerëz në Mesdhe? Ne as nuk do ta dimë, sepse pa anijet e misionit “Sophia” dhe anijeve të organizatave private të bllokuara nuk do të ketë të dhëna për shifra dhe itinerare. Misioni i Mesdheut i Bashkimit Europian, pararendësja e misionit “Sophia” u krijua me kërkesën e shprehur të Italisë, pas katastrofës së tetorit 2013, ku humbën jetën më shumë se 500 vetë para ishullit italian Lampedusa. Kjo duket se është harruar tani. Vlen vetëm: Mbyllni portat. Të mos pranohen më migrantë, edhe nëse kjo kushton jetë njerëzish.
Nuk dihet, nëse qëndron teza që mbrojnë disa politikanë që merren me çështjen e migracionit, se thjesht perspektiva se mund të merren nga një anije e BE-së, i ka bërë shumë refugjatë të ngjiten në gomone. Ky faktor “tërheqës” tani nuk ekziston më. Për këtë pretendim flet edhe një e dhënë tjetër, numri i të ardhurve në vitin e kaluar është ulur në mënyrë të ndjeshme.
BE do të vazhdojë me trajnimin e përgatitjen e rojes bregdetare libiane, me shpresën, se kjo trupë do të mbledhë migrantët në ujërat territoriale libiane dhe do t’i pengojë në udhëtimin e tyre të mëtejshëm drejt Europës. U zgjidh kështu problemi? Aspak, sepse kjo roje bregdetare mund të kontrollojë vetëm një pjesë të bregdetit, për shkak të gjendjes së pastabilizuar në Libi, dhe tjetra, disa banda kontrabandistësh bashkëpunojnë drejtpërdrejt me rojet bregdetare.
BE – Dështimi i politikës së migracionit
Me fundin e misionit “Sophia”, BE gjendet para dështimit të plotë të politikës së saj të migrimit. Edhe pas disa vitesh diskutimi, ministrat e Brendshëm të BE nuk ranë në ujdi për shpërndarjen e refugjatëve të shpëtuar, as për reformën e procedurave të azilit apo përgjegjësitë për refugjatët (rregullorja e Dublinit). Mbrojtja e përbashkët e kufijve të BE-së e ngritur aq lart në takime është shtyrë në vitin 2027. Nuk shihet asgjë edhe nga “marrëveshjet e rikthimit”, “qendrat e pritjes” në vende të BE, apo të ashtuquajtura “platforma zbarkimi” në Afrikën e Veriut, të gjitha të paraqitura si zgjidhjet e vërteta për të mbajtur larg migrantët nga shtetet e BE. Njohës të diplomacisë së BE e përmbledhin kështu: Politikë migracioni nuk po bëhet. Kjo është njësoj si t’u japësh në dorë një dhuratë populistëve të djathtë në fushatën zgjedhore europiane, të cilët mund të fitojnë vota me nxitjen e frikës së migracionit.
E në fund: Misioni “Sophia” mbante emrin e vajzës somaleze që lindi në Tarentin italian pas shpëtimit të nënës së saj shtatzënë nga marina gjermane “Schleswig Holstein”. Ka pasur një kohë kur ishim krenarë për shpëtimin e njerëzve në det, mision që tani po mbyllet.
Fraksion.com