SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara të martën vendosën sanksione të reja ndaj një rrjeti prej 25 individësh dhe subjektesh në Iran, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të akuzuar për pastrimin e më shumë se një miliard dollarëve dhe eurove të përdorura nga Trupat e Rojes Revolucionare Iraniane dhe Ministria iraniane të Mbrojtjes, për të financuar terrorizmin në Lindjen e Mesme.
Departamenti i Thesarit tha se këto kompani kishin dërguar rreth 800 milionë dollarë në bankë, të cilat i kishin kaluar Rojes Revolucionare Iraniane, pjesëtareve të tyre, forcave Kude dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Iranit. Paratë janë përdorur për të paguar pagat për punonjësit dhe luftëtarët e huaj, veçanërisht në Siri.
“Objekt i sanksioneve është një rrjet i gjerë kompanish kryesore dhe individëve të vendosur në Iran, Turqi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, me synimin për të prishur një skemë të përdorur nga regjimi iranian për të lëvizur në mënyrë të paligjshme fonde prej më shumë se një miliard dollarësh”, thuhet në deklaratën e Thesarit.
Kjo masë po ashtu përfshin sanksione shtesë ndaj Ministrisë iraniane të Mbrojtjes, ndaj së cilës ishin vendosur edhe më parë sanksione, si ndëshkim për ndërtimin e armëve të shkatërrimit në masë. Në sanksionet e reja shtohet përcaktimi për mbështetje ndaj terrorizmit.
Sanksionet e reja ndaj Iranit vijnë pasi administrata fuqizon atë që e quan një “fushatë të madhe” sanksionesh ndaj Iranit, e cila fokusohet sidomos tek pengimi i të ardhurave nga eksportet e naftës iraniane.
Të hënën, Departamenti i Thesarit rinovoi një paralajmërim për transportuesit ndërkombëtarë dhe operatorët e porteve, duke i këshilluar ata për sanksione të mundshme, nëse lejojnë çisterna iraniane në objektet e tyre.
Fraksion.com