KQZ ndan 3 mandate të reja; Parlamenti bëhet me 99 deputetë
Parlamenti i Shqipërisë është shtuar sot me tre deputetë të rinj, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh për t’u dhënë mandatin këtyre kandidatëve, që vinë nga radhët e PD dhe LSI, duke mos pranuar të “digjen” siç bëri opozita e bashkuar.
Një nga kandidatët që tashmë e ka plotësuar formularin e dekriminalizimit është kreu i Partisë Balli Kombëtar, Adriattik Alimadhi, i përfshirë nga Lulzim Basha në listat e PD-së. Ai pritet të zëvendësojë sot ish-deputetin Agron Shehaj.
Ndërkohë, një tjetër emër i rëndësishëm që “tradhton” PD, do të jetë ish-kreu i degës në Peqin, Arben Elezi, i cili do të zëvendësojë në Elbasan, nënkryetarin e selisë blu, Edmond Spaho.
Edhe nga radhët e LSI do të ketë një tjetër dezertore. Ajo është Ambra Borova, e cila do të zëvendësojë në Shkodër, ish-deputetin Agron Çela.
Tre deputetët e rinj që morën mandatin, pritet të bëjnë betimin në seancën e kësaj të enjteje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të deputetëve në Parlament në 99.
Deri sot, LSI-ja ka plotësuar vendet e lëna bosh nga 11 ish-deputetë të saj, ndërkohë që PD-ja ka qenë më solide, ku vetëm 6 ish-kandidatë kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit.
Ndërkohë, në ditët në vijim pritet që KQZ të shpallë pazgjedhëshmërinë në Qarkun e Kukësit për të gjithë kandidatët e listës së PD-së në këtë qark, por edhe në Gjirokastër dhe Lezhë.
Ndërkohë pritet që deputetët e opozitës në Parlament të ngrenë edhe grupet e reja parlamentare, pasi deputeti Myslim Murrizi theksoi në një deklaratë për mediat që D do të përfaqësohet nga grupi i ri.
Deputetët e PD: Myslim Murrizi, Rudina Hajdari, Ligoraq Karamelo, Alban Zeneli, Majlinda Halilaj, Lefter Maliqi
Deputetët e LSI: Enda Koçiraj, Nimet Musai, Ralf Gjoni, Ylli Shehi, Aurora Mara, Erdiola Braha, Edlira Hyseni, Enver Roshi, Edmond Rrushi, Elda Hoti
Marrin sot mandatin:
PD: Adriatik Alimadhi dhe Arben Elezi
LSI: Ambra Borova
Fraksion.com