AktualitetSportTë fundit

Homazhe për Ali Memën: Ikona e ekipit bardheblu u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare

Familja e madhe e futbollit dhe jo vetëm i dha lamtumirën e fundit një prej ikonave të futbollit shqiptar dhe jo vetëm të klubit bardheblu, Ali Memës.

Homazhet e zhvilluara në stadiumin “Selman Stërmasi” për mëse dy orë mblodhën veç familjes, bashkëkohës të Memës, të cilët edhe fjalët për të i kishin të thjeshta dhe të përzemërta.

Ali Mema, veçse një njeri i afërt i familjes, për nipin e tij, një tjetër figurë e madhe e klubit bardheblu, Sulejman Mema, mbetet si “njeri i popullit.”

Ali Mema u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë që e kishte kufizuar jetesën e tij vitet e fundit.

Mema ishte pjesë e skuadrës bardheblu në vitet 60-70, duke e udhëhequr atë brez në suksese të mëdha. Gjithashtu, ai bën pjesë në dinastinë Mema, një familje që ka nxjerrë disa futbollistë, duke filluar nga vëllezërit e Aliut, Osmani dhe Haxhiu, për të vijuar me nipin Sulejman Mema dhe djalin e tij, Ardian Mema, i cili aktualisht është trajner i Tiranës.

Përveç karrierës si futbollist, Ali Mema ka qenë edhe pjesë e drejtimit të skuadrës së Tiranës.

 

Fraksion.com