Vrasja e Nardit të Bujtinave; Zbardhet dëshmia e tre bashkëpunëtorëve të autorit
Policia e Shkodrës mbyll marrjen në pyetje të 3 të arrestuarve për vrasjen e Nard Polisë.
Mësohet nga burime të policisë se ata i kanë mohuar akuzat.
Ata kanë thënë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e 32 vjeçarit i cili u qëllua me 20 plumba në fshatin Grudë të njësisë Rrethina në Shkodër.
Mjeti tip Audi është në pronësi të shtetasit Alfred Martini i cili është një prej të ndaluarve. Ky i fundit ka pranuar se është makina e tij por ka deklaruar në polici se këtë mjet ia ka dhënë që në mëngjesin e 20 marsit shtetasit K.S i shpallur në kërkim dhe 27-vjeçari që dyshohet si autor i vrasjes ia ka kthyer mjetin në orët e pasdites, pretendon i ndaluari Alfred Martini.
Ky i fundit bashkë me dy të ndaluarit e tjerë Gilbert Toma dhe Kleandro Toma kanë deklaruar se ata nuk kanë qenë fare në makinën në fjalë me të cilën policia dyshon se është ndjekur viktima dhe më pas është transportuar autori i dyshuar pas djegies së motorit. Nga ana tjetër policia dyshon se shtetasi K.S është ekzekutori me pagesë ndërsa ende nuk është arritur që të shkohet tek motivet që çuan në vrasjen e 32 vjeçarit Nard Polia ndërsa pista e vetme deri më tani mbetet e kaluara e tij para 8-9 vitesh në Itali ku është dënuar me 4 vite për prostitucion, trafik kokaine dhe vjedhje me thyerje të dy banesave.
Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje.
Fraksion.com