Murrizi: Do të krijojmë Grup të ri Parlamentar të PD-së
Myslim Murrizi, njëri nga dy deputetët demokratë që nuk iu bind vendimit për lënien e mandatit, në një intervistë për Top Channel tregon hapin e radhës që do të hedhë bashkë me të tjerë deputetë demokratë që zunë karriget bosh të kolegëve të tyre dhe planet për ndryshimin e sistetimit zgjedhor.
Deputeti Murrizi shpjegon se ai dhe opozita e re do të ngulmojnë për listat e hapura: “Listat e hapura sjellin demokraci brenda subjekteve politike, vrasin servilizmin. Shkojnë para qytetarëve dhe vijnë në emër të qytetarëve në ato karrige ata që zgjidhen nga qytetarët. Listat e mbyllura kanë shtuar servilizmin, kanë nxitur orekset e kërmijve politik për të monopolizuar karriget në atë Parlament”.
Ndërsa Damian Gjiknuri, njeriu që ka udhëhequr betejat elektorale të socialistëve, i rikthyer në PS si Sekretar për Çëshjet Zgjedhore, i pyetur për listat e hapura thotë: “Ky është një proces tjetër kushtetues apo ligjor i cili do të kërkojë kohën e tij. PS është e hapur për çdo lloj konsulte me të gjitha partitë opozitare apo ato në kampin e mazhorancës dhe mendoj se ky është një proces që do të ndodhë pas zgjedhjeve vendore për të parë konsultimet e gjëra, për të parë nëse do të kemi nevojë edhe për ndryshime të sistemit”.
Do të synojmë kompromisin për Reformën Zgjedhore, thekson Gjiknuri, por shanset që lokalet e 30 qeshorit të realizohen me një kod të ri, sipas tij, janë të pakta: “Ky draft do të vlejë për zgjedhjet e tjera pasi tashmë jemi në një fazë finale të përgatitjes së zgjedhjeve dhe institucionet e zgjedhjeve kanë nisur të formësohen. Kështu që do të ishte e pamundur dhe e nxiruar për mendimin tim dhe të traditës në këtë proces të miratojmë një kod menjëherë dhe ta zbatojmë në këto zgjedhje lokale”.
Fraksion.com