AktualitetPolitikëTë fundit

Ish-kryeministri Berisha mund të shkojë në burg; Shkak “qytetari dixhital”

Policia e Shtetit ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me postimet e fundit të ish kryeministrit Sali Berisha, në fokus të të cilave pëmes denoncimeve të ‘qytetarit dixhital’ ka qenë vetë ajo. Ndërsa i konsideron këto postime një lumë shpifjesh nga ana e ish-kryeministrit, të cilat kanë për qëllim të denigrojnë punën e policisë, në deklaratë paralajmërohet përballja në gjykatë.

“Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese.

E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallëzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.

Publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve.

Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha.

Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit”, thuhet në deklaratën zyrtare.

 

Fraksion.com