AktualitetNATO/BETë fundit

Deputetët britanikë marrin kontrollin e Brexit-it

Deputetët kanë votuar për të marrë nën kontroll situatën në një lëvizje të paprecedentë në përpjekje për të gjetur një shumicë për çdo opsion të Brexit-it.

Qeveria u mund me 329 vota me amendamentin ndërpartiak që i dha udhë një serie votimesh për të zbuluar se çfarë lloj Brexit-i ka më shumë mbështetje mes deputetëve. Kryeministrja Theresa May tha se nuk kishte garanci që ajo do t’i bindej vullnetit të deputetëve. 30 deputetë konservatorë votuan kundër qeverisë, mes tyre edhe 3 ministra. Richard Harrington, Alistair Burt dhe Steve Brine dhanë dorëheqjen për t’u bashkuar me rebelët duke akuzuar madje qeverinë se po luan në ruletë me jetën e britanikëve.

May u përpoq të evitonte disfatën duke i ofruar deputetëve mundësinë e një serie votash për alternativat e Brexit-it. Ajo tha se lejimi i deputetëve që të marrin në dorë axhendën e Dhomës së Komuneve do të përbënte një precedent jo të mirëpritur. Por, shumë deputetë thanë se ata nuk i besonin qeverisë dhe as premtimit se ajo do t’i jepte zë deputetëve në një varg opsionesh të Brexit-it.

Në një seri votash të quajtura indikative, deputetët do të shprehen tani për një numër opsionesh, mes të cilëve, ai i një Brexit-i të butë, një unioni doganor me BE dhe një referendum tjetër. Por, formati i saktë i votimeve dhe se si ai do të funksionojë, nuk ishte përcaktuar në amendament.

May tha sidoqoftë se ajo ishte skeptike për procesin dhe se nuk do të angazhohej nëse qeveria do t’i bindej rezultatit të votimeve.

 

Fraksion.com