AktualitetTë fundit

Vrasja e Nardit të bujtinave; Arrestohen 3 bashkëpunëtorët por jo autori

Policia e Shkodrës ka mbërritur në gjurmët e autorit të vrasjes së Ferdinand Polisë.

35-vjeçari, i njohur si pronar i bujtinës “Polia” në Theth, njëherësh administrator në Agjensinë e Zonave të Mbrojtura në Shkodër  u ekzekutua me armë pasditen e 20 marsit, sapo kishte dalë nga një pikë servili në fshatin Grudë.

Në kuadër të operacionit “Step By Step”, Blutë e Shkodrës kanë vënë në pranga tre bashkëpunëtorët kryesorë të autorit të dyshuar të vrasjes dhe kanë shpallur në kërkim vrasësin.

“U bë finalizimi i operacionit “Step By Step” në lidhje me vrasjen e shtetasit N. P., ndodhur më datë 20.03.2019. Në këtë kuadër u bë ndalimi i shtetasve: – G. T., 26 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Bashkia Shkodër. – K. T., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër. – A. M., 20 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. S., 27 vjeç dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tij”, njofton policia.

Pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, rezulton se të arrestuarit drejtpërdrejt me veprimet e kryera kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.

“Pas një pune intensive, ndjekjeje me metodat speciale të hetimit, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje. Gjatë veprimeve hetimore u bë e mundur sekuestrimi i automjetit i cili është përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, orientimin e ekzekutorit, kryerjen e vrasjes, djegien e motorrit dhe largimin bashkë me ekzekutorin”, sqarojnë uniformat blu.

Ndërkohë, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumenta të ndryshme.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe mbi motivin e kësaj ngjarje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit dhe mbajtes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78-25 e 278 të Kodit Penal.

 

Fraksion.com