AktualitetOp-EdTë fundit

Shoumeni i madh i Evropës

Letra e dashurisë së Emanuel Makronit ndaj Evropës, ishte një teatër i pastër, dhe tipike e presidentit francez. Ndoshta më shumë se çdo politikan tjetër, Makron ka një aftësi të spikatur për të diktuar axhendën e lajmeve në Evropë. Përmes shfaqjeve të tij butaforike, ai ka ndërtuar një markë që u bë menjëherë e njohur, shënoi një ngjitje marramendëse në pushtet, dhe ka ruajtur që atëhere vëmendjen e kontinentit.

Kur hasi në vështirësi, si më së fundi kur u sulmua nga lëvizja anti-establishment e Jelekëve të Verdhë, Makron përdori fasadat, si takimet qytetare apo traktatin franko-gjerman të Ahenit me kancelaren Angela Merkel, për të rifituar popullaritetin e humbur.

Letra e hapur e kësaj jave, që u botua nga gazetat në ç`do vend të BE-së, nuk përbën ndonjë përjashtim. Të fokusohesh në përmbajtjen e saj dhe propozimet e politikave, do të thotë të humbasësh thelbin e këtij akti. Qëllimi i tij i vërtetë, qëndron në atë që na tregon, drejtimin e politikës në një kontinent në ndryshim të shpejtë.

Letra e Makron, është një thirrje për një BE më aktive dhe më të fuqishme. Ajo i drejtohet kryesisht një audience të brendshme. Presidenti francez, po kërkon të tërheqë mbështetjen e votuesve të cilët, megjithëse janë në përgjithësi në favor të BE-së, do të ishin më të prirur për të votuar për socialistët, të gjelbërit apo Republikanët e qendrës së djathtë në Francë.

Me partinë e tij “La République En Marche” me vetëm paksa mbi 20 përqind në sondazhe, kokë më kokë me udhëheqësen e ekstremit të djathtë të Tubimit Kombëtar, Marin Lë Pen, Makron nuk ka luksin të humbasë ndonjë mbështetje nga e djathta ose nga e majta.

Por, letra kishte gjithashtu edhe një audiencë tjetër. Polemikat e menjëhershme që shkaktuan propozimet e tij në të gjithë Evropën, i dhanë Makron një mundësi tjetër, për të shitur veten si udhëheqësi i vetëm i aftë që mbron projektin evropian nga një sulm i populistëve.

Shkalla në të cilën Makron vuri prestigjin e tij personal, në frontin e betejës elektorale për Parlamentin Europian, dhe jehona e mesazhit të tij në mbarë Evropen, flet gjithashtu për vetëdijen e tij, se faza politike evropiane është vendimtare për udhëheqësit kombëtarë.

Një apo dy dekada më parë, krerët e shteteve do t’i kishin trajtuar zgjedhjet e Parlamentit Evropian, thjesh si hapin e rradhës. Tani, përqendrimi gjithnjë e më i dukshëm i fuqisë kolektive në duart e institucioneve të BE-së, i ka bërë ato mjete me vlerë, ku ia vlen të shpenzohet një kapital i madh politik për të fituar.

Gjithkush është duke u angahzuar për të diktuar të ardhmen e BE-së. Nuk është një fushëbetejë e lehtë, ku mund të kesh epërsi. Krizat e njëpasnjëshme, eurozona, emigrimi, Brexit, krijuan domosdoshmërinë e  një debati politik ndërkufitar. Por, pasojat e tyre i kanë polarizuar shoqëritë, dhe kanë forcuar politikën e partive kombëtare.

Rreziqet e mëdha në këto zgjedhje për të ardhmen e BE, kanë mprehur linjat e betejës ideologjike, midis rrjeteve rivale partiake brenda Parlamentit Evropian, dhe midis forcave politike në nivel kombëtar. Kjo ka bërë që të jetë më e veshtirë gjendja e konsensusit evropian.

Gjithkush, pro-evropianët dhe euroskeptikët, po përpiqen të dominojë në debatin politik, dhe të vendosin mbi të ardhmen e BE-së. Dhe mjeti më i mirë për ta bërë këtë, janë shfaqjet e shkëlqyera publike, që shfrytëzojnë çështjet evropiane në avantazhin e tyre.

Kështu është gjenerata e re e liderëve të BE-së, duke përfshirë Makronin, dhe në anën tjetër udhëheqësin e të djathtës italiane, Mateo Salvini, si dhe të tjerë, janë duke luajtur se kush do të kontrollojë BE-në. Këto ditë, suksesi kombëtar është i lidhur me aftësinë për të shkëlqyer në skenën evropiane. Zhgënjimi kryesor nga letra e Makron, është se shoumeni më i madh i Evropës, e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër, “manualin” e ri të lojërave.

Shënim: Alexander Clarkson, është lektor mbi studimet evropiane në Kolegjin Mbretëror në Londër/Politico.eu, Bota.al

 

Fraksion.com