AktualitetOp-EdTë fundit

Pse opozita, e humbi betejën e saj publike!

Nga Alfred Peza
Pamjet e jashtëzakonshme të manifestimit politik në sallën e Kongresit dhe atij elektoral në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, nga ana e Partisë Socialiste, në rastin më të mirë bënë që të heshtë ajo pjesë e mediave kritike që bazohet ende tek disa parime profesionale. Por, kjo nuk do të thotë se mediat militante dhe ato partike pranë PD dhe LSI, të mos flisnin. Përkundrazi.

Në përpjekje për të bërë pis me çdo çmim, një nga vitrinat me vezulluese që një parti politike ka arritur ti tregojë ndonjëherë opinionit në këto 30 vitet e fundit në Shqipëri, u vu në lëvizje si kurrë më parë, i gjithë mekanizmi propogandistik i kundërshtarëve. E bukura e gjithë kësaj historie, është se kori i propogandës së opozitës sonë, ka nisur të ketë deri edhe arrogancën që rreket ti detyrojë gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ata, të shohin në çarçafin e bardhë atë pikën e zezë që arrijnë ta dallojnë veç sytë e mendjes së tyre!

Në një përpjekje dëshpërimisht titanike, nisi menjëherë prodhimi në seri i “fake news”-së, thashethemeve, intrigave nga më të ulëtat, e deri tek shpifjet më vulgare, trashanike e qesharake. Për të mbërritur në fund, tek mitet e rreme të ngritura mbi fantazi, mbi folklorizmin primitiv, ushqyer me të dhëna konfuze, dëshira personale dhe legjenda urbane, për ta paraqitur PS dhe Edi Ramën, përmes një mllefi të vërbuar pangushëllimisht, veç ashtu siç nuk janë.

E kjo qasje e paprecedentë propogandistike, duke qenë se mali i gënjeshtrës në Shqipëri e ka kaluar tashmë edhe Everestin, në vend që ta dëmtojë mazhorancën, po dëmton gjithnjë e më shumë opozitën vetë. Arësyet për këtë janë të panumërta, por mjafton që të ofroj dy prej tyre:

E para, në epokën e internetit, rrjeteve sociale dhe mediave online, askush nuk mund të gënjehet dot përserisa gjithkush e mban provën për të kundërtën, 24 orë në 24, me vete. Gjithkush ka mundësi që të vërifikojë nëpërmjet telefonave celularë dhe aksesit në internet, pamjet, provat, faktet, burimet dhe të bindet vetë për të vërtetën apo të pavërtetën e gjithçkaje që futet në fushën e interesave të tyre.

E dyta, pas 30 vjetësh dalje nga izolimi “koreanoverior” i Shqipërisë, nga fitorja e madhe e lirisë së lëvizjes së individit, ideve dhe mallrave qytetarët shqiptarë nuk janë më ato të viteve të para të demokracisë që nuk kishin se si ti kuptonin shumë nga lojërat politike të elitës së Tiranës. Sot është budalla në politikë, kushdo që mendon se shqiptarët janë budallenj dhe se ata do ta hajnë çdo lloj sapuni propogandistik, për djathin që kërkon tua servirë opozita.

Partia Socialiste, mazhoranca e saj brenda dhe jashtë Parlametit, drejtuesit politikë në pushtetin qëndror e atë lokal dhe vetë Edi Rama, kanë patur dhe mund të kenë gabimet e tyre. Kjo është e pashmangshme për këdo që punon dhe jo më për një trupë politike që ka 6 vjet që e qeveris vendin. Mjafton që ti kërkosh, ti gjurmosh, ti qëmtosh, ti shoshisësh dhe të mersh me realizëm e profesionalizëm me to.

E sigurtë është që pas kësaj, opozita jonë dhe propaganda e saj nuk do të kenë më nevojë që të meren me çështje, fakte, prova, akuza, ngjarje, shpifje, interiga, fake news-e dhe gjëra të paqena të cilat ndoshta mund të duken sikur të japin disa pikë në fillim. Por me kalimin e kohës, me sqarimin e tyre, e gjitha shndërrohet në një “boomerang” duke i bërë forcat politike, liderët dhe opozitën në tërësi, gjithnjë e më të pabesueshme. Madje, deri në atë pikë sa edhe atëherë kur ajo mund të ofrojë fakte dhe prova të vërteta, të mos i besojë më askush!

PS ndryshe nga PD, LSI e aleatët e tyre nuk e ka në AND-në e saj dhunën, moralin e forcës, qasjen antishtet dhe goditjet poshtë brezit të kundërshtarëve politikë. Kjo qasje shpeshherë për standardet e xhunglës politike ballkanike, meret si dobësi. Meret si e metë e madhe dhe si një kulturë démodé. Por në një Shqipëri ku po zhvillohet lufta finale mes kulturës politike të muskujve të krahut dhe atyre të mendjes, mes qasjes neotomane dhe asaj perendimore Partia Socialiste ndryshe nga opozita, përfaqëson “Fuqinë e Butë”. Ketu buron dhe qendron forca e vertete, fuqia e madhe dhe reale e kesaj partie.

Një fuqi e cila është përqafuar nga të gjitha partitë politike moderne, në shtetet me demokraci funksionale, që kanë aftësinë në planin e brendshëm për ti dhënë formë veprimeve dhe preferencave të të tjerëve, përmes joshjes pozitiviste, nëpërmjet bindjes dhe jo përmes forcës, dhunës dhe luftës së pisët. Ndërsa në planin ndërkombëtar, “Fuqia e Butë” përfaqëson aftësinë e një vendi për të rritur gjithmonë e më tepër peshën e vet nëpërmjet aleancave ndërkombëtare, duke formësuar preferencat e të tjerëve, nëpërmjet reciprocitetit, joshjes bashkëpunuese dhe tërheqjes së ndërsjelltë.

Të gjitha këto kanë bërë që opozita shqiptare, ta humbasë betejën e saj publike, qoftë në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Dikush duhet ti thotë lidërve të opozitës sonë, se rruga e zgjedhur për ta fituar pushtetin në tavolinë, mund të duket shumë e shkurtër në pamje të parë. Por, si në atë thënien e njohur popullore shqiptare, kjo rrugë e shkurtër po kuptohet çdo ditë e më tepër, se do ta nxjerrë gjatë, madje edhe më gjatë sesa mendohet sot, opozitën tonë!

 

Fraksion.com