Basha del nga Prokuroria: Të bëhen publike letërporositë e SHBA dhe Anglisë
Pasi dëshmoi për më shumë se 1 orë në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me kontratat e lobimit në SHBA, kryeu i PD Lulzim Basha ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.
Ai deklaroi se Prokuroria po heton për deklarimet që PD ka bërë në formularët e deklarimit në KQZ, për shpenzimet.
Basha po ashtu ka kërkuar nga Prokuroria që të bëjë publike përgjigjet e letërporosive të ardhura nga SHBA dhe Anglia, të cilat sipas tij, tregojnë qartë që PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur ligjet.
“Jemi thirrur sot ne Prokurori si persona që kemi dijeni për rrethanat e hetimit. Dua të bëj të qartë se hetimi i hapur prej 1 viti e gjysmë bëhet sipas nenit 190 për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në KQZ nëse janë mbushur siç duhet apo jo. Ky është hetimi, jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat qeveria i aktivizon sa herë i duhet për nevoja politike. Ka më shumë se 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania që vërtetojnë se asnjë demokrat nuk ka shkelur asnjë ligj, i kemi kërkuar prokurorsë t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura që vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj”,- tha ai.
Në lidhje me mos paraqitjen e tij në prokurori të enjten, Basha tha se gazetarët mund t’i referohen një letre të bërë publike dhe të depozituar pranë Prokurorisë prej tij, për të marrë përgjigje.
Prokuroria nisi hetimet pas shkrimit në revistën amerikane “Mother Jones” lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për aktivitete lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit 2017.
Fraksion.com