AktualitetBota+Të fundit

SHBA mund të pezullojnë livrimin e avionëve luftarakë F-35 Turqisë

Shtetet e Bashkuara mund të pezullojnë së shpejti përgatitjet për livrimin e avionëve luftarakë F-35 Turqisë, thanë zyrtarët amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ky do të ishte sinjali më i fortë i Uashingtonit se Turqia, aleate e NATO-s, nuk mund të ketë njëkohësisht aeroplanë të avancuar amerikanë dhe një sistem rus S-400 të mbrojtjes ajrore.

Deri tani, Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ta bindin Presidentin Recep Tayyip Erdogan se blerja e sistemit rus të mbrojtjes ajrore do të kompromentonte sigurinë e avionëve luftarakë F-35.

“S-400 është një kompjuter, edhe F-35 është një kompjuter. Nuk mund të lidhësh kompjuterin tënd me atë të kundërshtarit dhe në fakt pikërisht kjo do të ndodhte, tha për agjencinë Reuters Katie Wheelbarger, ndihmës sekretare e mbrojtjes për sigurinë ndërkombëtare.

Megjithëse ende nuk është marrë ndonjë vendim, zyrtarët e SHBA

konfirmuan se Uashingtoni po shqyrton pezullimin e hapave për të përgatitur Turqinë që ajo të marrë në dorëzim avionët F-35, të prodhuar nga firma Lockheed Martin.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Turqia ende mund të heqë dorë nga sistemi rus S-400, ekspertët thonë se zoti Erdogan ndoshta e ka futur veten në një rrugë pa kthim me retorikën e tij. Ai ka thënë disa herë se nuk do të ndryshojë kurs lidhur me sistemin S-400.

“Askush nuk duhet të na kërkojë të lëpijmë atë që kemi pështyrë,” tha ai në muajin mars.

Një vendim për t’i hequr Turqisë avionët F-35 do të kishte pasoja më të gjera, pasi Ankaraja ndihmon në prodhimin e pjesëve të këtij avioni, siç janë komponentët e mekanizmit të uljes, panelet elektronike në kabinën e pilotit dhe motorët.

 

Fraksion,com