Në Tiranë e “projektojnë” Presidente pas Metës, ja ç’bën Jozefina Topalli
Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë politike dhe siç ndodh përherë në situata të tilla, emra të vjetër politikanësh përfliten si figura që mund të çojnë drejt zgjidhjes së ngërçit.
Ashtu po ndodh edhe me ish Nr.2 të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cila ka qenë gjithmonë krahu i djathtë i sh-kryeministrit Sali Berisha.
Emri i saj doli dje në skenë në emisionin “Open”, ku gjatë diskutimeve u përfol si zëvendësuesja e Ilir Metës në postin e Presidentit të Republikës.
Ishte botuesi Karlo Bolino ai që zbuloi idenë e kryeministrit Edi Rama për përzgjedhjen e Topallit në rast se Ilir Meta do të dorëhiqet nga detyra, me arsyetimin se mund të zgjidhë krizën politike.
“Junta është prokuroria. Jo rastësisht e ka përmendur paralajmërimin që kanë thënë ndërkombëtarë para dy vitesh që situata mund të vijë në gjendjen aktuale. Paralajmërimi për dorëheqje është kërcënim që shqetëson ndërkombëtarët, por jo shqiptarët pasi kuvendi ka 94 deputetë. Qeveria mund të zgjedhë President të ri totalisht legjitim. Mund të zgjidhet Jozefina Topalli nga opozita si presidente për 24 orë, pasi Rama po e mendon si emër”, tha Bolino.
Por ndryshe nga lajmi i shpërndarë gjerësisht në media, ish-kryeparlamentarja Topalli duket e qetë dhe e pashqetësuar, teksa e ka shijuar këtë të premte buzë detit Adriatik.
Ajo ka postuar një foto në Instagram ku duket e lumtur nën rrezet e diellit pranveror./shqip