Kanë marrë pjesë në luftimet e Sirisë; Dënohen 7 maqedonas
Një gjykatë në Shkup dënoi shtatë shtetas të Maqedonisë së Veriut me nga gjashtë deri në nëntë vjet burg për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.
Elmedin Osmani, Ahmed Xhengis, Orhan Zhupani, Bujamin Feta, Ibrahim Shabani dhe Almir Mirtovski u dënuan me gjashtë vjet, ndërsa Safet Ramadani me nëntë vjet burg. Ky i fundit ishte anëtar i Shtetit Islamik.
Ata kanë pranuar fajin dhe vendimin e gjykatës e pritën me qetësi, ndërsa premtuan se nuk do të bëjnë vepra të reja penale.
Ligjet e Maqedonisë së Veriut parashikojnë dënime me 4 deri në 15 vjet burgim për shtetasit që marrin pjesë në luftëra të huaja.
Ndërkaq, avokatët e të dënuarve paralajmëruan se do ta ankimojnë çështjen në instanca më të larta gjyqësore.
Ata prisnin nga gjykatësit që të jepnin masa më të buta për shkak të pranimit të fajit nga ana e të akuzuarve dhe për shkak se ata kanë qëndruar nëpër burgje në Siri.
Personat në fjalë u arrestuan në Siri dhe iu dorëzuan autoriteteve maqedonase gushtin e kaluar.
Autoritetet në Shkup nuk kanë dhënë shifra të sakta për numrin e shtetasve të angazhuar në radhët e Shtetit Islamik, për numrin e të kthyerve, apo të vrarëve në konflikt.
Fraksion.com