Italia përqafon nismën kineze për infrastrukturën Një Brez Një Rrugë
Kryeministri italian Giuseppe Conte do ta përfshijë vendin e tij të shtunën në nismën kineze Një Brez Një Rrugë, projektin ambicioz infrastrukturor ndërkontinental me vlerë prej një trilion dollarësh.
Nënshkrimi i memorandumit në Romë është thelbi i vizitës me tre ndalesa të Presidentit kinez Xi Jinping në Evropë dhe do ta bëjë Italinë vendin e parë të Grupit të Shtatëshes që merr pjesë në të ashtuquajturën Rrugë e Re e Mëndafshit.
Mbështetja e Italisë për nismën kineze, që përfshin Eurazinë, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës, ka shkaktuar shqetësimin jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, të cilët janë të preokupuar për ndikimin në rritje të Pekinit në Evropë dhe përdorimin e tregtisë prej tij si një mjet të politikës shtetërore. SHBA e ka kritikuar projektin dhe ka paralajmëruar për rreziqet e “diplomacisë së borxhit”. Anëtarët e BE janë të shqetësuar se plani mund të shtojë përçarjet në një koalicion tashmë të tendosur.
Ata nuk janë të vetëm në shqetësimin për pasojat afatgjata që mund të ketë Italia nëse nënshkrimi i marrëveshjes shkon nga simbolizmi në pjesëmarrje të plotë. Matteo Salvini, kreu i partisë populiste Lega, që përfaqëson gjysmën e qeverisë së koalicionit, shfaqi kundërshtimin e tij, duke qëndruar larg ceremonisë së nënshkrimit. Ai nuk do të marrë pjesë as në darkën e madhe gala pas nënshkrimit.
Zoti Salvini, sivëlla ideologjik i Presidentit Donald Trump dhe mik i ish këshilltarit të presidentit, Steve Bannon, shqetësohet se nisma kineze mund ta kthejë Italinë në një koloni të Kinës dhe do ta ngarkojë atë me borxhe të reja. Ai gjithashtu ka shfaqur publikisht shqetësimet e tij të sigurisë rreth lejimit të kontrollit kinez në infrastrukturën kritike të vendit, duke përfshirë portet kryesore. “Para se të lejoj dikë të investojë në portet e Triestes ose të Gjenovës, unë do të mendohesha jo një herë, por njëqind herë,” tha zoti Salvini këtë muaj.
Disa zyrtarë italianë në ministrinë e ekonomisë dhe të financave kanë bërë gjithashtu paralajmërime. Ata argumentojnë se ndërsa angazhimi me Pekinin në këtë mënyrë mund të ndihmojë për nxitjen e eksporteve italiane në Kinë, diçka që theksohet edhe nga Presidenti Xi në reklamën që ai i bën nismës, ka të ngjarë që ajo të rezultojë në nxitjen e eksporteve të lira kineze drejt Italisë.
Një skenar i tillë, thonë ata, mund të ketë një ndikim shkatërrimtar për prodhuesit dhe punëtorët italianë. “Nëse tregëtia rritet ndjeshëm, kjo mund të sjellë një fitim afatshkurtër, por dhimbje afatgjatë”, tha një zyrtar për Zërin e Amerikës.
Pavarësisht paralajmërimeve, si dhe mosmiratimit të SHBA dhe BE për përqafimin e nismës kineze nga ana e Italisë, Giuseppe Conte dhe Luigi Di Maio, udhëheqës i lëvizjes së Pesë Yjeve, që përbën gjysmën e qeverisë populiste të koalicionit, thonë se investimi kinez mund të fillojë ta rigjallërojë ekonominë e ngadalësuar të Italisë.
Disa nga vendet më të vogla të BE-së të cilat kanë nevojë për para, gjithashtu i janë bashkuar në dy vitet e fundit nismës kineze, me shpresën se kjo do të ndihmojë rritjen e ekonomive të tyre.
Italia ra në recesion vitin e kaluar dhe nivelet e saj të borxhit janë ndër më të lartat në Evropë. Qeveria populiste e koalicionit erdhi në pushtet në qershor të vitit 2018 me plane shpenzimesh të mëdha, duke premtuar reforma të shtrenjta të pensioneve dhe një pagë jetese për të gjithë italianët.
Ministrat italianë që favorizojnë nismën kineze Një Brez Një Rrugë, akuzojnë vende të tjera të BE-së, duke përfshirë Francën, e cila e kritikon nismën për hipokrizi, duke thënë se ata nënshkruajnë marrëveshje shumë-milion dollarëshe gjithsesi me Kinën, ndonëse jashtë kuadrit të nismës.
Por disa zyrtarë italianë shqetësohen se kjo pikëpamje mund të jetë dritëshkurtër.
Ata thonë se ndonëse nisma kineze mund t’i ofrojë Italisë burime të reja financimi, (Italia ende mbetet shumë prapa niveleve të investimeve të huaja që ajo ka pasur para krizës financiare globale të vitit 2008), ajo mund të shkaktojë një valë të konsiderueshme importesh kineze, të cilat do të kishin pasoja afatgjata dëmtuese për industrinë, punësimin dhe politikën italiane./VOA
Fraksion.com