Sulmet e presidentit kundër të ndjerit McCain shkaktojnë reagime
Senatori republikan Johnny Isakson i shtetit Georgia, kritikoi ashpër Presidentin Donald Trump të mërkurën për sulmet e tij të përsëritura ndaj senatorit të ndierë John McCain, dikur kandidat republikan për president dhe i burgosur i Vietnamit, i cili vdiq nga kanceri i trurit rreth shtatë muaj më parë.
Ditët e fundit, zoti Trump ka përsëritur sulmet ndaj të ndierit McCain, duke e fajësuar atë si nxitës i hetimit për Rusinë dhe si senatori që hodhi votën vendimtare, e cila bëri të dështojë përpjekja e Presidentit Trump për reformimine politikave të kujdesit shëndetësor, që ishin arritja kryesore legjislative e paraardhësit të tij Barak Obama.
“Kurrë nuk kam qenë tifoz i John McCain-it, dhe nuk do të jem kurrë,” u tha zoti Trump gazetarëve të martën.
Disa ligjvënës e kanë kritikuar Presidentin Trump për aludimet e tij kundër zotit McCain, por askush më tepër se senatori Isakson, i cili tha se fakti që presidenti Trump vë në shënjestër të ndjerin McCain “më bën të çmendem”.
“Vendi meriton më shumë, familja McCain meriton më shumë. Nuk më intereson nëse ai është president i Shteteve të Bashkuara, zotëron të gjitha pasuritë e paluajtshme në Nju Jork ose po ndërton sistemin më të madh të imigracionit në botë”, tha senatori Isakson në një fjalim. “Asgjë nuk është më e rëndësishme se integriteti i vendit dhe ata që luftuan dhe rrezikuan jetën për të gjithë ne,” tha ai.
Senatori ngriti shqetësime për mesazhin që Presidenti Trump u dërgon trupave amerikane duke vënë në shënjestër të ndjerin McCain, një pilot i marinës i cili u rrëzua gjatë një bombardimi në Luftën e Vietnamit, pastaj u kap dhe u mbajt si rob lufte në Hanoi për 5 vjet e gjysmë.
Udhëheqësi demokrat i senatit Chuck Schumer, ish-kundërshtar politik i zotit McCainit, ka kërkuar që njërit prej komplekseve të zyrave të Senatit t’i vihet emri i “heroit amerikan, Senatorit Xhon Mekein”. Ndërtesa ndëdhet në një rrugë të Uashingtonit pranë Kapitoli, ku John McCain ishte ligjvënës për 35 vjet me radhë.
Pas sulmeve të Presidentit Trump në Twitter të shtunën, vajza e të ndjerit McCain, Meghan McCain, shkruante: “Askush nuk do t’ju dojë ndonjëherë ashtu si e donin babanë tim … Do të desha të kisha kaluar më shumë të shtuna me të. Ndoshta duhet ta kaloni të shtunën me familjen tuaj se sa të komentoni në Twitter, duke u fiksuar tek e shtuna ime.”
Prej kohësh Presidenti Trump ka shprehur mospëlqimin e tij për senatorin e ndjerë McCain.
Gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2015, zoti Trump kritikoi statusin e zotit McCain si ish-rob lufte, duke thënë: “Ai nuk është hero lufte, ai është hero lufte thjesht sepse u kap rob, mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”./VOA
Fraksion.com