AktualitetBota+Të fundit

SHBA, shkurtimi i buxhetit për mbrojtjen nga raketat; Shqetësohen analistët

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar pakësimin e buxhetit për mbrojtjen nga raketat ndërkohë që kundërshtarët e tyre si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut vazhdojnë të modernizojnë dhe të rrisin

kapacitetet raketore. Pentagoni shpjegon se ulja e buxhetit për Agjencinë e Mbrojtjes nga Raketat nga 9.9 miliardë dollarë që ishte vitin e kaluar në 9.4 miliardë këtë vit është bërë në kuadër të zhvendosjes së fokusit në novacion dhe teknologji pas zgjerimit të aftësive mbrojtjese brenda vendit vitet e fundit. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, analistët e mbrojtjes argumentojnë se nevojiten më shumë fonde për t’iu përgjigjur kërcënimit në rritje me raketa ndaj territorit të Shteteve të Bashkuara.

Sipas një analize të Pentagonit mbi kërcënimet nga raketat, Kina ka rreth 125 raketa bërthamore që mund të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara.

Rusia ka zhvilluar aftësitë e raketave me rreze të gjatë veprimi që Uashingtoni thotë se shkel Traktatin për Armët Bërthamore me rreze të mesme veprimi, dhe pretendon se ka zhvilluar një raketë të re të shpejtë hipersonike për të pasuruar arsenalin e saj tashmë të madh strategjik.

Koreja e Veriut ka punuar në mënyrë agresive për të prodhuar raketa balistike ndërkontinentale dhe mund të rifillojë testimin e tyre nëse bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara dështojnë.

Irani kohët e fundit ka prezantuar atë që pretendon se është një raketë me rreze të gjatë veprimi dhe ka kryer një përpjekje të dështuar për dërgimin e një sateliti në hapësirë, që Uashingtoni ka thënë se ishte një shkelje e ndalimit nga OKB-ja të përdorimit të teknologjisë së raketave balistike.

Administrata e Presidentit Trump ka zgjeruar sistemet e mbrojtjes që përdorin raketa të fuqishme interceptuese për të eliminuar raketat sulmuese.

Tani ekzistojnë 44 interceptues tokësorë në Shtetet e Bashkuara, të përqendruar në Alaskë, të cilët potencialisht mund të interceptojnë në ajër dhe në atmosferën sipër tokës raketat me rreze të gjatë veprimit. Janë bërë plane për ndërtimin e shumë të tjerave.

Sistemi Aegis, së bashku me atë THAAD dhe Patriot janë projektuar të inteceptojnë raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi.

Megjithatë analistët e sigurisë shqetësohen se shkurtimet e propozuara të buxhetit mund të ngadalësojnë zhvillimin e mëtejshëm të këtyre sistemeve.

“Qeveria amerikane duhet të rrisë aftësitë e saj të mbrojtjes nga raketat, që do të thotë zgjerimin e programeve të testimit, dhe ndoshta dislokimin e më shumë interceptorëve në territorin amerikan”, thotë Rebeccah Heinrichs nga Instituti Hudson.

Shtetet e Bashkuara thotë ajo, gjithashtu duhet të investojnë më shumë në zhvillimin e teknologjisë me lazer të bazuar në hapësirë, që mund të shkatërrojë raketat që në fazën e nisjes.

Ka gjithashtu shqetësime se bateritë e mbrojtjes nga raketat janë zhvendosur nga Lindja e Mesme në Azi për t’u përqëndruar në kërcënimin që vjenë nga Koreja e Veriut.

“Ne kemi aleatë dhe partnerë në të dyja pjesët e botës, në zonën e Gjirit Persik dhe në Azinë Verilindore dhe është integrale për ne që të jemi të aftë për t’u mbrojtur dhe për të parandaluar kërcënimet si nga raketat iraniane ashtu edhe nga ato të Koresë së Veriut”, thotë Behnam Ben Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Përhapja në rritje e raketave balistike nga kundërshtarët e Amerikës, thonë analistët, kërkon një investim të barabartë në teknologjinë e mbrojtjes nga raketat.

Fraksion.com