AktualitetTë fundit

Opozita rrethon Parlamentin; Rama mungon në seancë, Basha thirret në Prokurori

Opozita proteston sërish këtë të enjte. Ashtu siç është paralajmëruar, protesta pritet të nisë në orën 9:30 para Kuvendit, ku do të zhvillohet gjithashtu një seancë plenare 30 minuta më vonë, ku pritet të betohen edhe 3 deputetë të rinj që morën mandatet pas lënies së tyre nga ish-deputetë.

Policia është vënë në gatishmëri dhe ka siguruar qoftë ambientet përreth Kuvendit të Shqipërisë, nga të gjitha anët dhe hyrjet e mundshme për në të, e po ashtu ka marrë masa edhe për një “zhvendosje” të mundshme të protestuesve drejt Kryeministrisë.

Kreu i Partisë Demokratike ka qenë mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel dhe nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm apo jo në protestë, pasi ende nuk ka një orar zyrtar se kur do të rikthehet në kryeqytetin shqiptar nga takimet që zhvilloi me pasuesen e Merkelit dhe David McAllister. Ndërkohë, ai duhet të paraqitet sot edhe në Prokurorinë e Tiranës, i thirrur për çështjen e lobimit në SHBA.

Pritet të shihet gjithashtu nëse kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në seancën plenare, por gjasat janë që të mungojë pasi ai prej ditësh ndodhet jashtë Shqipërisë. Në seancë pritet të bëjnë betimin tre deputetë të rinj nga LSI.

 

Fraksion.com