Muxhahedinët kremtojnë Sulltan Novruzin në Durrës
Me një grumbullim masiv në kompleksin e tyre në Manzë të Durrësit, anëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri festuan mbrëmjen e së mërkurës, Novruzin. E pranishme ishte edhe vet presidentja e “Rezistencës Iraniane”, Maryam Rajavi, e cila uroi të gjithë iranianët, në Iran e jashtë tij.
Të ftuar në këtë kremtim ishin edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko; zëvendëskryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho; si dhe një numër parlamentarësh e personalitetesh shqiptare.
Majko kujtoi se muhaxhedinët iranianë në Shqipëri janë nën mbrojtjen e autoriteteve vendase. “Kushdo që ju prek juve, prek Shqipërinë e shqiptarët. Kjo është arsyeja përse u dëbua ambasadori i Teheranit”, tha ndër të tjera ai.
Spaho, nga ana tjetër, nënvizoi bindjen se me përpjekjet e këtyre opozitarëve dhe me luftën e popullit iranian, vitin tjetër kjo festë do të kremtohet në një Iran të lirë.