Kur të tregohet kufiri; Viktor Orbani nxirret tek dera
Nga Volker Wagener
Partitë popullore europiane (EVP) kanë marrë një vendim: Partia hungareze simotër, Fidesz do të qëndrojë jashtë dere, të paktën përkohësisht dhe me të drejtë.
Orbanizmi, që gëzon simpati nga Kroacia deri në Poloni tani ka dalë nga zona e rehatisë së spektrit politik të së djathtës e qendrës dhe ndodhet para renditjes tek grupimi i euroskeptikëve, grupit parlamentar të konservatorëve reformues europianë. Kësaj i bie erë llogari politike, sepse në Hungari grindja e Orbanit me Brukselin dhe EVP ia shton mbështetjen Orbanit.
Në këtë fraksion të skeptikëve janë si në shtëpinë e tyre edhe deputetët e partisë nacional-konservatore polake, PiS dhe përfaqësues populistë të djathtë nga 15 vende të BE. Fideszi hungarez mund ta bëjë edhe më të njohur skajin e djathtë konservator. Nuk përjashtohet që Lega armiqësore ndaj të huajve e Matteo Salvinit në Itali dhe Fidesz të krijojnë një grupim të ri partish djathtas EVP-së, por kjo as nuk mund të ndryshohet.
Regjistri i mëkateve të Orbanit
Historia deri para pezullimit të partisë Fidesz është e njohur dhe e qartë: Prej vitesh Budapesti dhe Brukseli grinden: Kufizim të të drejtave të qytetare, të drejtësisë apo lirisë së mediave – të gjitha këto tema janë kritikuar në Bruksel. Deri më sot ky vend nuk ka pranuar refugjatë. Edhe universitetin liberal e të njohur në shkallë ndërkombëtare, Central European University të miliarderit me origjinë hungareze, George Soros Viktor Orban e detyroi të largohet nga vendi me një ligj të kontestuar për arsimin e lartë. Një hap që Hungarisë i solli procedurën e BE për shkelje të marrëveshjeve.
E kulmin e provokimeve burri i fortë nga Budapesti e arriti me një fushatë pllakatesh, ku shihen me një buzëqeshje tallëse Soros dhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker- të dy si simbole të molohut “Bruksel” dhe të bashkuar në qëllimin për të nënshtruar Hungarinë.
Volker Wagener
Edhe socialistët në Parlamentin Europian kanë një dele të zezë
Nuk dihet, nëse EVP do ta kompensojë humbjen e 13 votave të Fidesz tani dy muaj para zgjedhjeve europiane. Por konservatorët të paktën fituan nga ana programatike tani, sepse mbajtën qëndrim. Ata ia treguan kufirin Viktor Orbanit, atë kufi që ai e shkelte prej vitesh. Por shkeljet e statutit nuk janë problem vetëm i EVP-së, edhe grupi parlamentar socialist në Strasburg ka të paktën një mëkatar në radhët e veta. Liviu Dragnea, kreu i partisë socialdemokrate rumune, PSD në Bukuresht shihet i lidhur me keqpërdorimin e pushtetit, korrupsionin dhe ekonominë nepotiste. Pas vendimit të EVP për Viktor Orban tani edhe socialistët e Parlamentit Europian ndodhen para përgjegjësisë për të vepruar.
Partitë popullore europiane, EVP i kanë mbrojtur parimet e tyre. E këtë me çmimin e një dëmtimi të mundshëm. Para zgjedhjeve europiane një pjesë e skajit të djathtë është nxjerrë jashtë. Gabim? Aspak- Tema më e dashur e Orbanit, emigracioni është temë e së djeshmes. E është pikërisht Lindja e Juglindja europiane që nuk ka problem imigrimi, por emigrimi. Që nga koha e Orbanit vendin e kanë braktisur më shumë hungarezë se pas shtypjes së revolucionit antikomunist të vitit 1956 nga trupat sovjetike./DW
Fraksion.com