AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasada e SHBA: Reforma në drejtësi nuk do dështojë; Gabojnë ata që ndikojnë negativisht

“Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur dhe kjo duhet të vazhdojë ndërsa reforma në Drejtësi do të sjellë një sistem të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë”

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Leyla Moses-Ones, duke folur në një event të mbajtur në Tiranë me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO theksoi se, “Shqipëria ka përgjegjësi për vazhdimin e reformave, që janë aq shumë të rëndësishme për t’u anëtarësuar në BE.

“Progresi duhet të vazhdojë në termat e rregullit ligjor, kundër krimit, korrupsionit duke krijuar një ekonomi në temat e lirisë dhe barazisë. Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur dhe kjo duhet të vazhdojë. Reforma në Drejtësi për shembull po vazhdon dhe do ta bëjë Shqipërinë me një sistem të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë. Ne kemi një mesazh për të gjithë ata që duan të ndikojnë negativisht në zbatimin e reformës në drejtësi, ju e keni gabim”, tha ajo.

Ajo nënvizoi angazhimin e palëkundur të SHBA-ve ndaj aleancës, teksa përmendi disa prej sfidave me të cilat përballen sot në rang ndërkombëtar, duke veçuar terrorizmin si një nga rreziqet që duhet mposhtur e luftuar me çdo kusht, sikurse edhe Rusinë, për përpjekjet e kësaj të fundit për të minuar demokracitë perëndimore.

“Shqipëria ka dhënë kontributin e saj të vyer në aleancën ushtarake. Sigurisht që mbetet një shembull për t’u marrë nga të gjithë mes aleatëve”, tha Moses-Ones.

“Për dhjetë vite, Shqipëria e ka bërë aleancën tonë më të fortë nëpërmjet angazhimit të saj me trupa dhe burime në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Irak, ndërmjet misioneve të tjera. Ajo i kushton 3.9 për qind të forcave të saj ushtarake aktiviteteve të NATO-s, duke u kthyer kështu në kontribuesen e dytë më të madhe të numrit të trupave për frymë në aleancë. Shqipëria do të vijojë ta bëjë aleancën më të fortë nëpërmjet investimit prej 58 milionë dollarësh për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të përforcojë operacionet e furnizimit nga ajri, mbështetjen logjistike, patrullimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet. Roli shumë i madh i Shqipërisë në aleancë është shembull për të gjitha vendet aleate”, tha Moses-Ones.

Ndërsa duke folur për integrimin e Shqipërisë në BE, Moses-Ones theksoi se, “roli i Shqipërisë në NATO rritet së bashku me përgjegjësinë e saj për të bërë përparim të vazhdueshëm në reformat demokratike. Këto reforma janë themelore për vlerat që mbron aleanca dhe janë thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përparimi duhet të vazhdojë për të përmirësuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit e krimit të organizuar dhe krijimit të një ekonomie të fortë, që është e lirë dhe e barabartë për cilindo”.

 

Fraksion.com