Zyrtarja e lartë amerikane: Irani po destabilizon Lindjen e Mesme
Programi raketor i Iranit po destabilizon Lindjen e Mesme dhe po ngritë rrezikun e një “gare rajonale të armëve”, tha Yleem Poblete, ndihmës sekretare amerikane e shtetit për kontrollin e armëve dhe verifikimin.
“Programi iranian i raketave është një kontribues kyç për rritjen e tensioneve dhe destabilizimit e rajonit, duke shtuar rrezikun e një gare rajonale të armëve”, tha Poblete në Gjenevë në një konferencë të OKB-së për çarmatimin.
Ajo shtoi se “Irani duhet të ndërpresë menjëherë aktivitetet që lidhen me raketat balistike të dizajnuara për të qenë në gjendje të mbajnë armë bërthamore dhe të ndalojë përhapjen e raketave dhe teknologjisë për grupet terroriste dhe akterët e tjerë jo shtetërorë”.
Zyrtarja e lartë amerikane, Poblete në mënyrë specifike përmendi mbështetjen e Iranit për rebelët Huthi në Jemen dhe grupin militant Hezbollah në Liban.
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vendosë sanksione ndaj Iranit pasi sipas SHBA-së, ky vend po shkel rezolutat e OKB-së.
Ushtruesi i detyrës së ambasadorit amerikan në OKB, Jonathan Cohen, më 7 mars, dënoi “aktivitetet destabilizuese të Iranit” në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe i bëri thirrje Teheranit “të ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet që lidhen me raketat balistike të dizajnuara për të qenë të afta të mbajtnër armë bërthamore”
Deklarata përmendi një rezolutë të OKB-së të vitit 2015 që i “kërkon” Iranit të përmbahen deri në tetë vjet nga testimet e raketave balistike të dizajnuara për të mbajtur armë bërthamore.
Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet kundër Iranit pas tërheqjes nga një marrëveshje e rëndësishme e vitit 2015 në të cilën Teherani ra dakord për kufizime në programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Presidenti Donald Trump tha se Teherani nuk po jetonte me “shpirtin” e marrëveshjes për shkak të mbështetjes që i bën militantëve në rajon dhe për shkak se vazhdon testimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike.
Teherani ka mohuar se mbështet aktivitetin terrorist dhe thotë se programet e saj të raketave dhe bërthamore janë vetëm për qëllime civile.
Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Poblete tha se Irani i ka dhënë raketat balistike grupit Huthi në Jemen, dhe me të cilat në disa raste është qëlluar Arabia Saudite.
“Ne jemi të përkushtuar që në mënyrë agresive të kundërvihemi me përhapjen rajonale të raketave balistike dhe transferimet e paligjshme të armëve,” shtoi ajo.
Irani e ka mohuar se i ka furnizuar me raketa rebelët, pavarësisht se Uashingtoni dhe Riadi kishin ofruar prova që dëshmonin të kundërten.
Fraksion.com