T’i tregojmë ngjyrat e vërteta të Europës
Të gjendur përballë sfidës së parashtruar nga nacionalistët dhe populistët përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, mbrojtja e vlerave themelore të Europës nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme sesa tani. Vendosja e flamurit të BE-së në shtëpitë dhe zyrat tona mund të dërgojë një sinjal të pamohueshëm që Bashkimi nuk do të shkatërrohet nga armiqtë e tij, brenda apo jashtë tij
Nga Romano Prodi, Stefano Micossi
Në cilin vend të Europës keni më shumë gjasa të shikoni flamurin e Bashkimit Europian të valvitet me krenari mbi shtëpitë private dhe ndërtesat? Përgjigjja është e qartë, në mos edhe e çuditshme: Në Mbretërinë e Bashkuar, nga qytetarë që i druhen idesë së Brexit. A është vërtet e nevojshme të humbasim diçka që e duam – dhe për të cilën kemi nevojë – para se të fillojmë ta vlerësojmë vërtet atë?
Ne besojmë se, si shenjë e identitetit tonë të përbashkët europian, qytetarët e BE-së duhet, duke filluar nga 21 marsi, të shfaqin me krenari flamurin e Bashkimit Europian. Të gjendur përballë sfidës së paraqitur nga nacionalistët dhe populistët përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, mbrojtja e vlerave themelore të Europës nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme sesa tani. Vendosja e flamurit të BE-së në shtëpitë dhe zyrat tona mund të dërgojë një sinjal të pamohueshëm që Bashkimi nuk do të shkatërrohet nga armiqtë e tij, brenda apo jashtë tij.
Në një epokë pasigurie, frustrimi dhe turbullimi të fatit tonë të përbashkët, shumë europianë duken të pavetëdijshëm për historinë e gjatë të zhvendosjes dhe luftës që i parapriu krijimit të BE-së dhe periudhën e pashembullt të paqes dhe prosperitetit që kemi arritur që prej vitit 1950. Për 70 vjet, institucionet e përbashkëta të Europës kanë mbështetur tregun e përbashkët, euron dhe zgjerimin e fuqishëm të të drejtave individuale nën mbrojtjen e Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Për më tepër, modeli europian i mirëqenies sociale është një rreze qytetërimi dhe një shembull për të gjithë botën. Inkorporimi i Kartës së të Drejtave Themelore në Traktatin e Lisbonës kurorëzoi ndërtimin e një zone të integruar prej 500 milionë banorësh bazuar në demokracinë, sundimin e ligjit dhe afirmimin më të lartë të dinjitetit njerëzor. Kur udhëtojmë me pasaportën tonë të përbashkët të BE-së, ne njihemi dhe respektohemi në të gjithë botën si qytetarë të një lojtari kyç në rendin botëror.
Këto arritje janë nën kërcënim jo vetëm nga kundërshtarët e brendshëm të Bashkimit Europian, por edhe nga përbuzja e treguar për BE-në – në fakt, për të gjitha institucionet multilaterale – nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Institucionet që kanë mbështetur gjatë paqen, sigurinë dhe rritjen e tregtisë botërore janë, për Trumpin, armiq që duhen shkatërruar, që është sidomos e rrezikshme duke marrë parasysh konfrontimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sot mosmarrëveshja midis Kinës dhe Amerikës po pengon tregtinë botërore; nesër, mund të jetë paqja e botës.
Nuk ka asnjë dyshim se ne në Europë nuk do të jemi në gjendje të ruajmë atë që kemi arritur gjatë shtatë dekadave të kaluara, nëse secili shtet anëtarë i BE-së del më vete. Në fund të fundit, edhe anëtarja më e madhe e BE-së, Gjermania, është e vogël në krahasim me SHBA-në dhe Kinën. Vetëm, asnjë prej nesh nuk mund të menaxhojë sfidat e mëdha të parashtruara nga teknologjia, proteksionizmi, ndryshimet klimatike apo terrorizmi ndërkombëtar.
Por, në vend që të pranojnë se forca e Europës është uniteti i saj, forcat nacionaliste dhe ksenofobike kanë fituar përkrahje në të gjithë kontinentin duke premtuar mbylljen e kufijve, anulimin e lëvizjes së lirë dhe rivendosjen e kontrollit kombëtar mbi të gjitha politikat publike. Rritja dramatike e flukseve hyrëse të emigracionit, kryesisht për shkak të luftës civile siriane dhe anarkisë së ngushtë që mbizotëron në Libi, kanë krijuar një terren pjellor që ksenofobët të përhapin mesazhin e tyre të urrejtjes. Duke shfrytëzuar pasigurinë e ndjerë nga punëtorët me kualifikime të ulëta dhe të papunët, ata fajësojnë emigrantët për të gjitha problemet e Europës. Megjithatë, duke pasur parasysh demografinë e Europës, rritja e flukseve hyrëse të emigrantëve të kualifikuar është e nevojshme për të ruajtur dinamizmin e ekonomive tona dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë të shëndetësisë dhe pensioneve.
Po, institucionet dhe politikat e Europës kanë nevojë për ndryshime të thella për t’u rilidhur me qytetarët e zhgënjyer. Ne duhet të tregojmë përsëri një kapacitet për të nxitur rritjen dhe investimet, për të përballuar sfidat e teknologjive të ndryshueshme dhe ndryshimet klimatike dhe për të rigjallëruar modelin tonë të lëkundur social. Duhet të tregojmë se institucionet tona të përbashkëta janë në gjendje dhe dëshirojnë të dëgjojnë kërkesat e një publiku të frikësuar dhe se mund të veprojmë së bashku për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të sjellë siguri më të madhe në lagjet tona të paqëndrueshme lindore dhe jugore.
Por ka gjithashtu një nevojë urgjente për të mobilizuar opinionin publik europian rreth një simboli të unitetit tonë dhe projekteve tona të ardhshme. Dhe ky simbol është flamuri europian. Për këtë arsye, në janar, njëri prej nesh hodhi idenë se duke filluar nga data 21 mars, të vendosim këtë flamur nëpër shtëpi, fabrika dhe zyra. 21 marsi është dita e parë e pranverës dhe ne dëshirojmë të besojmë se zgjedhjet e ardhshme europiane do të paralajmërojnë një pranverë të re për projektin europian. 21 marsi gjithashtu është përvjetori i vdekjes së Benediktit, shenjtorit mbrojtës i Europës. Në një nga orët më të errëta të rrëzimit të Perandorisë Romake, Benedikti bëri thirrje për tolerancë dhe devotshmëri për të rindërtuar një ndjenjë komuniteti përballë nihilizmit dhe barbarizmit.
Duke filluar nga 21 marsi, le t’i tregojmë flamurin tonë botës, si simbol të unitetit dhe ëndrrave tona dhe si shenjë të një fillimi të ri në përpjekjet tona për të ruajtur dhe thelluar unitetin europian. Apo do ta kuptojmë atë që kemi vetëm kur të jetë tepër vonë?/Project Syndicate, reporter.al
Fraksion.com