Sandër Lleshaj ‘shkund’ zyrtarët krutanë; Siguria publike e droga
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim me autoritetet vendore e ligj zbatuese në qytetin Krujës. Në fokus të këtij takimi ishin disa çështje të rëndësishme si siguria publike, mbrojtja e mjedisit si dhe lufta ndaj kultivimit të drogës.
Ai deklaroi se kultivimi i kanabisit është një çështje e mbyllur përfundimisht dhe paralajmëroi të gjithë autoritetet lokale të kenë angazhim të plotë në përputhje me detyrat që përcaktohen nga Plani Kombëtar Antikanabis.
I pari i ministrisë së Brendshme tha se Policia dhe të gjithë zyrtarët shtetërorë duhet të bëjnë më shumë për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“Shqipëria është e angazhuar botërisht, që të dalë nga harta e kanabisit. E kemi arritur, por duhet të jemi të qëndrueshëm që kjo punë të vijojë. Plani Kombëtar Kundër Kanabisit parashikon detyra të qarta për të gjithë institucionet. Institucioni i fundit të cilit i drejtohet Plani, është Policia. Policia ka për të bërë vetëm një pjesë të punës, pjesën e ligj zbatimit. Ndërkohë që pjesën tjetër, kontrollin e territorit duhet ta bëjnë institucionet e tjera, sensibilizimin e qytetarëve duhet ta bëjnë institucionet e tjera. Do të kërkoja shumë prej të gjithë administratorëve lokalë, nga bashkia, nga njësitë administrative, nga kryepleqtë që të kuptojnë mirë këtë thirrje,” tha ndër të tjera ministri Lleshaj.
Pas aksioneve të fundit të Task Forcës ndërministrore, ku u bllokuan 12 gurore në zonën e Krujës, Ministri apeloi për ndalimin përfundimtar të shkatërrimit të mjedisit.
“Është zhvilluar një industri e guroreve, e zhavorrit, e inerteve e të tjera me radhë dhe pasojat e kësaj ju i shihni vetë. Ajo që është bërë është vështirë të zhbëhet më. Por kjo punë duhet të stopohet, të ndalohet njëherë e përgjithmonë. Dhe pastaj, të gjitha institucionet përkatëse, qofshin ato lokale, qofshin këto qendrore, duhet të marrin masa për rikuperimin e gjendjes, aq sa mund të rikuperohet,” tha ministri i Brendshëm.
Prokurori i Rrethit theksoi se kontrolli i territorit nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit. Ai u shpreh se për gjithë autoritetet përgjegjëse për territorin, do të mbahet një qëndrim i prerë dhe i rreptë, në respekt të ligjit./BW
Fraksion.com