Bushati për kufirin Kosovë-Serbi : Korigjimi s’ekziston në të drejtën ndërkombëtare!
Ditmir Bushati në studion e “Tempora” nuk e ka pranuar se është shkarkuar nga kryeministri Edi Rama nga posti i ministrit të Jashtëm , por është liruar nga detyra pasi ka zgjedhur të bëjë sipas tij, politikanin e thjeshtë.
“Çdo Kryeministër ka në të drejtën e tij për të bërë rifreskime në kabinetin qeverisës. Nuk mendoj se jam shkarkuar, jam liruar nga detyra si një pjesë e mirë e kolegëve. Arsyet i ka thënë dhe Kryeministri. Në fund të ditës unë jam politikan, kam zgjedhur të bëj politikanin, nuk më ka marrë njeri me zor dhe mendoj se do të rri në politikë për aq kohë sa të kem mundësinë të bëj diçka dhe do të vlerësoj që njerëzit më mbështesin”, tha Bushati.
Ish-ministri është pyetur edhe për çështjen e debatit Kosovë-Serbi dhe qëndrimin e tij kundër ndarjes së Kosovës, i cili u interpretua edhe si motiv për përplasje mes tij dhe kryeministrit Rama.
Bushati theksoi se termi “korrigjim i kufijve” nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare, duke u rreshtuar kështu sërish kundër idesë të shumëdebatuar që po diskutohet në Ballkan.
“Unë nuk e kuptoj çfarë do të thotë fjalën korrigjim i kufijve. Jam lodhur dhe nuk kam gjetur asnjë përkufizim në të drejtën ndërkombëtare sepse nuk ekziston. Pra në të drejtën ndërkombëtare flitet për procesin e delimitimit, që është procesi i përcaktimit të kufirit”, u shpreh ish-Kryediplomati i Shqipërisë.
“Kjo është një çështje delikate, vendimtare dhe përcaktuese për fatin e Ballkanit Perëndimor. Është një çështje që po trajtohet me intensitet nga partnerët tanë, pasi ju dha një zgjidhje sherrnajës prej 3 dekadash mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qëndrimet e mia kanë qenë publike. Mendoj që së pari është e rëndësishme që të kemi një inventar të arritjeve, të procesit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Duhet të kemi parasysh që procesi që do të çojë drejt një marrëveshje finale dhe ligjërisht të detyrueshme do të ketë jo vetëm njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por do të duhet të ketë në vëmendje edhe procesin e ripajtimit”, shtoi Bushati.
Sipas tij, “Tirana ka mbajtur një qëndrim sipas të cilit i takon autoriteteve në Kosovë të thonë fjalën e parë për këtë çështje”.
“Nuk i takon Tiranës zyrtarë të thotë e para fjalën për këtë çështje, përsa kohë në Kosova nuk kishte një platformë të rakorduar nga faktori kryesor politik në Kosovë. Kosova ka një platformë të miratuar edhe në Kuvend. Unë do të doja që kjo platformë të ishte sa më konsensuale. Unë kam folur për disa procese që i çmoj si shumë të rëndësishëm. Na duhet një marrëveshje që të sigurojë njohjen e ndërsjelltë”, nënvizoi ai.
Fraksion.com