Stoltenberg: Zgjerimi i NATO-s nuk është provokim
Sekretari i Përgjithshëm vlerëson politikën e deritanishme të NATO-s në përvjetorin e zgjerimit
Politika e derës së hapur të NATO-s shtrin fushën tonë të përbashkët të paqes dhe stabilitetit dhe e pasuron Aleancën tonë me zëra të rinj, përvoja të reja dhe aftësi të reja, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Ai mbajti një fjalim kryesor në një event të Fondit Gjerman Marshall (GMF) me temë “NATO në shtatëdhjetë – zgjerimi pas Luftës së Ftohtë dhe e ardhmja e sigurisë transatlantike”.
Këtë vit, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia festojnë 20 vjet që nga hyrja në NATO; Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia shënojnë 15 vjet që kur u bënë anëtarë, dhe Shqipëria dhe Kroacia, kanë 10 vjetorin e pranimit të tyre. Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi “angazhimin e madh për Aleancën tonë”. Kjo përfshin “kontributin e trupave trima dhe profesionalë në misionet dhe operacionet e NATO-s” nga Afganistani dhe Iraku në Ballkanin Perëndimor, dhe forcat shumëkombëshe të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës. Stoltenberg nderoi gjithashtu edhe ata aleatë që udhëheqin me shembull kur bëhet fjalë për ndarjen e barrës duke investuar 2 përqind të PBB-së së tyre në mbrojtje.
“Porta e Hapur e NATO-s dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian kanë ndihmuar në përhapjen e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë çdo ditë për të mbështetur ato vlera “, tha Sekretari i Përgjithshëm.
“Zgjerimi i NATO-s nuk është një provokim. Ne respektojmë të drejtën e çdo kombi sovran që të vendosë fatin e vet pa forcë e pa ndërhyrje “, tha Sekretari i Përgjithshëm, duke konfirmuar se dera e Aleancës mbetet e hapur. “Ne mirëpresim një anëtar të ri, Republikën e Maqedonisë Veriore, tashmë të ftuar në tryezën e NATO-s”, shtoi ai.
Aktiviteti i GMF pati diskutime dhe fjalime nga politikanë, diplomatë dhe analistë të lartë, përfshirë Radmila Šekerinska, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes i Maqedonisë Veriore. Ministrat e jashtëm nga vendet festuese, diplomatët, përfaqësuesit e biznesit dhe akademikët morën pjesë gjithashtu në konferencë.