AktualitetPolitikëTë fundit

Schütz: Qeveria aktuale e legjitimuar në mënyrë demokratike

Ambasadorja gjermane në Tiranë Suzanne Schütz u ka bërë thirrje palëve në Shqipëri të zbatojnë pa humbur kohë pesë prioritetet e kërkuara nga BE.

Ambasadorja gjermane në Tiranë Suzanne Schütz u ka bërë thirrje palëve në Shqipëri të mos humbin kohë për të plotësuar pesë prioritetet kryesore, të përcaktuara nga BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në qershor të këtij viti. Në një deklaratë për mediat, të hënën në mbrëmje (18.03.2019) ambasadorja Schütz thekson se,”Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes së rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani, nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyçe.”

Reforma në drejtësi – po ecën në mënyrë të pandërprerë

Ambasadorja gjermane ka përshëndetur “ecjen përpara në mënyrë të pandërprerë, edhe pse ngadalë ” të reformës në drejtësi.

” Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon”, vë në dukje ambasadorja Schütz në deklaratën e saj. Në këtë kontekst ajo kërkon që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, “si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale”.

Që drejtësia shqiptare të garantojë siguri ligjore

Struktura e Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK) përbën një tjetër emergjencë në ngritjns e institucioneve të drejtësisë së reformuar.

“Duhet të çohet përpara edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore”, vë në dukje në deklaratën e saj ambasadorja gjermane Schütz.

Qeveria aktuale legjitime, parlamenti vendi i debatit politik

Lidhur me heqjen dorë, një muaj më parë të opozitës nga mandatet parlamentare dhe akuzat e saj ndaj Qeverisë Rama dhe Parlamentit si “jo legjitime” ambasadorja gjermane Schütz, në Tiranë, vë në dukje:

” Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohësisht theksoj, në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend.”

Reforma zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

Në kushtet aktuale, kur opozita ka hequr dorë nga mandatet e saj parlamentare, miratimi i reformës zgjedhore në Parlament ka ngecur pasi kërkon shumicë të cilësuar, pra votën e 84 deputetëve, ambasadorja Schütz vë në dukje në deklaratën e saj rëndësinë që marrin në këto kushte zbatim i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve.

Deklarata e Ambasadores gjermane Schütz vjen pas protestës me akte dhune të opozitës, të shtunën e kaluar, më 16 mars, – e pesta në serinë e protestave të deritanishme- dhe vijimit të tyre, „deri në rrezimin e qeverisë Rama”, që opozita e konsideron ”jo legjitime” dhe e akuzon se ka ardhur në pushtet “me vota të blera dhe lidhjet me krimin e organizuar”. /DW

 

Fraksion.com