AktualitetTë fundit

Rrëfehet “Tony Montana”; Vrasësi serial shqiptar

Shqiptari  i njohur me pseudonimin “Tony Montana”, i akuzuar për masakrimin e shokut të tij në Angli, është rrëfyer përpara togave të zeza. Bëhet fjalë për vrasjen e ndodhur në vitin 1999, ku Mane Driza akuzohet se ka vrarë me disa lloje thikash  shtetasin Stefan Bledar Mone. Ai pretendon se e ka vrarë shokun e tij për vetëmbrojtje, pasi sipas tij Stefan Bledar Mone ishte paguar nga të tjerë për ta eliminuar.

“Në ditën e vrasjes, Driza erdhi drejt meje me një shkop bejsbolli dhe thikë. Pas kësaj e humba kontrollin dhe nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur. Pashë shumë gjak dhe humba kontrollin. I gjithë problemi është se Mone ishte paguar të më vriste. Ai më goditi me shkopin e bejsbollit dhe ndoshta edhe unë ndaj e godita më pas”, ka thënë ai.

Procesi gjyqësor zbuloi se Stefan Bledar Mone, në fakt ishte viktima e 5-të e  Mane Drizës apo “Tony Montanes”. Në dhjetor të vitit 1999, pak muaj pasi kishte vrarë shokun e tij në Londër, Driza eliminoi edhe dy shqiptarë të tjerë  në Siçili, Artan Maskaj dhe Albert Blushaj, për motive  të panjohura.

Ndërsa së bashku me të atin Nuredin Drizën, kishin vrarë më 11 Prill të vitit 1997, Elmaz dhe Lavdosh Kananin, babë e bir, në fshatin Bishan të Fierit. Për këtë krim, Driza u dënua në vitin 2001 nga drejtësia shqiptare për vrasje me paramendim. Ndërsa për t’i shpëtuar dënimit, ai u largua drejt Britanisë. Ndërkohë mediat huaja kishin shkruar më herët se arsyeja e sulmit ka qenë pretendimi i Drizës se miku i tij i kishte vjedhur unazën e martesës. “Ngjarja ka ndodhur në 22 qershor 1999, ku Mone priste të bëhej baba. Driza, ose “Tony Montana shqiptar”, në atë kohë 21 vjeç, u kishte kërkuar shokëve të punës t’i gjenin një thikë”, shkruante BBC.

Në atë kohë, Mone po shoqëronte bashkëshorten e tij, 6 muajshe shtatzënë, për kontroll mjekësor në spital. Por sipas kamerave të sigurisë të qytetit, ai u sulmua në Ëembley në mënyrë barbare nga miku i tij, shqiptari Driza.

Sipas prokurorisë angleze, në vrasje janë përdorur disa lloj thikash. Bashkëshortja e viktimës tregoi se kur u gjet trupi pas një dite, ajo mundi ta njihte vetëm nga rripi i pantallonave, pasi trupi ishte i copëtuar. Pas ngjarjes, autori fluturoi drejt Italisë për të mbuluar gjurmët. Mane Driza emigroi në Britani të Madhe në Gusht të vitit 1997, duke pretenduar se ishte një 17-vjeçar i larguar nga Kosova për shkak të luftës. Ai dhe viktima Stefan Mone ishin bërë miq në Britani pasi ishin larguar nga Shqipëria. Në disa raste, Driza ndonjëherë qëndronte edhe në shtëpinë e viktimës.

 

Fraksion.com