Presidenti Trump pret në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Brazilit
Presidenti Trump pret sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin brazilian Jair Bolsonaro. Ata pritet të diskutojnë për fuqizimin e lidhjeve diplomatike dhe tregtare mes të dy vendeve.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump i tha gazetarëve se të dyja vendet kanë patur bisedime të rëndësishme për çështje që lidhen me bujqësinë dhe se rezulati konkret i bisedimeve të së martës mes të dy udhëheqësve do të bëhet i njohur përmes një deklarate të përbashkët pas takimit.
Çështje të tjera që pritet të diskutohen në takimin Trump – Bolsonaro kanë të bëjnë me biznesin mes të dy vendeve, bashkëpunimin në fushën e energjisë, si dhe nisma të tjera për infrastrukturën.
Zyrtari i administratës tha se të dyja vendet kanë shprehur mbështetje për udhëheqësin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili është njohur nga pjesa më e madhe e vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Brazili. Zyrtari tha se ushtria braziliane mund të luajë rol në krizën venezueliane përmes lidhjeve që ka me homologët ushtarakë në Venezuelë, për të ndihmuar në mbrojtjen e civilëve.
Prezidenti Bolsonaro, i cili erdhi në këtë post vitin e kaluar, ka mbajtur një qëndrim pro-amerikan dhe pro-Trump.
Shtetet e Bashkuara dhe Brazili kanë nënshkruar më parë disa marrëveshje, përfshirë një që i hap mundësi kompanive amerikane të lëshojnë satelitë nga qendra e hapësirës Alcantara në Brazil.
Fraksion.com