AktualitetBota+Të fundit

Platforma raciste e sulmuesit të xhamive në Zelandën e Re

Kryeministrja e Zelandës së Re tha sot se shërbimet e zbulimit dhe ato të sigurisë po shqyrtojnë informata të mëtejshme pas sulmit vdekjeprurës me armë ndaj dy xhamive. Ajo gjithashtu premtoi të bëjë gjithçka të mundur për të mos i ofruar sulmuesit një platformë për shpalosjen e pikëpamjeve të tij raciste.

Kryeministrja Jacinda Ardern foli sot përpara ligjvënësve, pasi supremacisti i bardhë që akuzohet se qëlloi me armë ndaj 50 personave në dy xhami në qytetin Christchurch, nuk pranoi avokat dhe vendosi të përfaqësojë veten në gjyq.

“Ai është terrorist, është kriminel, është ekstremist. Por, sa herë të flas, unë nuk do ta përmend emrin e tij. Ju bëj thirrje që sa herë të flisni të përmendni emrat e atyre që u shuan dhe jo emrin e atij që u mori jetën. Ai mund të ketë dëshiruar të bëhet i famshëm, por ne këtu në Zelandën e Re nuk do t’ia ofrojmë këtë”, deklaroi në parlament Kryeministrja Ardern.

Dëshira e sulmuesit për famë u bë e qartë nga fakti se përpara masakrës të së premtes, ai la një manifest prej 74 faqesh. Gjithashtu, ai transmetoi drejtpërsëdrejti në mediat sociale pamje të sulmit të tij ndaj xhamisë Al Noor.

Kryeministrja Ardern shprehu irritimin e saj që videoja qëndroi e disponueshme në internet për katër ditë me radhë pas sulmit. Kompania Facebook megjithatë njoftoi se kishte hequr mbi 1 milionë versione të videos në 24 orët që pasuan sulmin.

Kryeministrja e Zelandës së Re tha se kishte komunikuar me drejtuesen e operacioneve të kompanisë Facebook, Sheryl Sandberg, por nuk dha hollësi të mëtejshme./VOA

 

Fraksion.com