Mes dhimbjes, spikat figura e Kryeministres Ardern
Pak pas sulmit në Christchurch të premten, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern u shpreh se kjo ishte një “nga ditët më të errëta” të vendit.
Kryeministrja 38-vjeçare, udhëheqësja më e re në historinë e Zelandës së Re, u vlerësua për reagimin gjakftohtë dhe plot humanizëm në përgjigje të sulmit.
Jacinda Ardern mori postin në tetor 2017, por ka një histori të gjatë në politikë.
Që nga momenti që ajo mori detyrën e kryeministres, Partia e saj Laburiste ka përjetuar një popullaritet në rritje të fortë, një fenomen që është pagëzuar “Jacinda-mania”.
Ajo ka lindur në një familje mormone në qytezën Murupara. Zonja Ardern është shprehur se kur shihte fëmijët e popullatës indigjene pa këpucë në këmbë dhe pa asgjë për të ngrënë për drekë, i kishte lindur dëshira t’i dedikohej shërbimit publik.
Ajo hyri në Partinë Laburiste në moshën 17-vjeçare dhe vazhdoi një angazhim aktiv edhe gjatë universitetit. Pasi u diplomua filloi të punonte në stafin e Kryeministres Helen Clark, një ndër figurat që kishte shërbyer si frymëzim për të.
Ajo vlerësohet si një politikane miqësore dhe e drejtpërdrejtë, e cila është zotuar të zhvillojë fushatë të nxitur pa pushim nga pozitiviteti. Ndër premtimet e fushatës: tre vjet falas studime universitare, shërbime falas për shëndetin mendor në qendrat komunitare dhe masa për të mos lejuar spekulantët e huaj të blejnë prona të patundura në Zelandën e Re.
Ajo është shumë popullore, sidomos mes të rinjve. Menjëherë pasi u zgjodh kryetare e partisë ajo u bë një simbol i lëvizjes feministe, kur gazetarët e pyetën nëse kishte në plan të bënte fëmijë. Ajo tha se e kishte diskutuar haptazi këtë temë, duke shtuar: “Është krejtësisht e papranueshme që gratë në 2017-ën të vihen përballë kësaj pyetjeje në vendin e punës. Ky është një vendim personal i gruas. Kjo nuk duhet të shërbejë si parakusht për të vendosur nëse ajo grua duhet marrë në punë, apo nëse duhet t’i ofrohen mundësi karriere”.
Zonja Ardern tërhoqi vëmendje edhe kur u bë e ditur se ajo dhe i dashuri, me të cilin bashkëjeton, personaliteti televiziv Clarke Gayford, do të bëheshin prindër. Ajo njoftoi gjithashtu se partneri i saj, do të kujdesej për foshnjen, një vajzë që lindi më 21 qershor 2018.
Një muaj më pas ajo njoftoi reforma sociale, ndër të cilat një pagesë javore për prindërit e rinj si dhe zgjatjen e lejes së lindjes nga 18 në 22 javë.
Ish-Kryeministrja pakistaneze, Benazir Buto është e vetmja udhëheqëse tjetër, e cila lindi gjatë kohës që drejtonte qeverinë në janar 1990./VOA
Fraksion.com