Mbledhja e KLP, sot gara për Prokurorin e Përgjithshëm
Këshilli i Lartë i Prokurorisë këtë të martë prej orës 10 është mbledhur sot në atë që rezulton të jetë mbledhja e 8 e këtij institucioni të ri të ngritur prej miratimit të Reformës në Drejtësi, me në fokus dy çështje të rëndësishme.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje pritet të miratohet projektrregullorja mbi “kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, e quajtur ndryshe SPAK.
Drafti u publikua pak ditë më parë, e në të diskutohet edhe pjesëmarrja e monitoruesve nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si pikë e dytë e rendit të ditës është edhe miratimi i rregullores për “kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”, miratim pas të cilit do të bëhet edhe çelja e garës. Brenda 30 ditëve nga ky hap bëhet shprehja e interesit nga palët e interesuara për të kandiduar.
E kur kanë mbetur vetëm pak orë nga çelja e garës për kryeprokuror, dy emra janë të sigurtë që do të garojnë: kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku dhe prokurori Olsian Çela, dy ish-shokë klase te Magjistratura. Megjithatë nuk përjashtohet një emër i tretë në këtë garë, teksa përflitet ai i Adnan Xholit, ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Mbledhja e KLP do të zhvillohet në sallën e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me dyer të mbyllura, pasi mediet do të lejohen vetëm gjatë prezantimit të rendit të ditës.
Fraksion.com