AktualitetPolitikëTë fundit

Lobimi në SHBA, Basha dhe zyrtarë të PD-së thirren në prokurori

Çështja e pagesave për lobistët amerikanë, të cilët ndihmonin Partinë Demokratike gjatë protestës në çadër, në vitin 2017, pritet të rihapet për shkak se ka zhvillime të reja.

Tashmë Prokuroria, për llogari të këtij hetimi ka administruar në dosje dy letërporosi të ardhura nga SHBA dhe Skocia. Këtë çështje është duke e ndjekur gazetari Muhamed Veliu, i cili në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e mesditës në Top Channel dha detaje.

TCH: Cilat janë zhvillimet më të fundit?

Muhamed Veliu: Pas ardhjes së dy letërporosive, duket se prokurorët që janë duke hetuar lobimin e kanë rihapur këtë çështje. Mësohet se do të merret në pyetje ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, në adresën e të cilit ka mbërritur fletëthirrja prej pak ditësh. Në javët në vijim pritet të merret në pyetje edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

TCH: Nga informacionet që ke mundur të sigurosh, çfarë përmbajnë këto dy letërporosi?

Muhamed Veliu: Prokurorët shpresonin që nga letërporosia nga SHBA të mbërrinte dëshmia e dhënë për FBI-në nga lobuesi Nik Muzin, por kjo nuk ka ndodhur, pasi ai vijon të mbetet nën betim, ndaj hetuesit amerikanë nuk mund të publikojnë e as shpërndajnë dëshminë e tij. Ndërkohë që nga letërporosia e mbërritur nga Skocia, prokurorët shqiptarë kanë përftuar të dhëna të reja e të panjohura më parë, se kush janë pronarët e vërtetë të kompanisë “Biniatta Trade”.

 

Fraksion.com