Hasan Lika braktis Vllazninë: Ikën në Shtetet e Bashkuara
Armando Cungu nuk ishte i vetmi trajner që la detyrën e tij këtë të martë. Vllaznia zyrtarizoi nëpërmjet një komunikate për shtyp largimin e Hasan Likës, por arsyet e këtij të fundit janë krejtësisht të ndryshme nga ato të shkodranit Cungu.
Në komunikatën e klubit shkodran theksohet se, Hasan Lika e la detyrën e tij pasi do të emigrojë drejt Shteteve të Bashkuara pas pak ditësh, së bashku me familjen e tij. Klubi shkodran, duke parë ecurinë e mirë të skuadrës, që është pranë rikthimit në Superiore, vendosi që të mos e pengojë trajnerin dhe e falënderoi për kontributin e dhënë prej tij.
Ndërkohë, klubi i Vllaznisë pritet të bëjë shumë shpejt publik emrin e trajnerit të ri, që do të marrë drejtimin e skuadrës deri në fund të sezonit.
Më herët ishte Armando Cungu që zgjidhte me marrëveshje kontratën me ekipin e Kukësit, edhe pse shkak ishin rezultatet e dobëta në krye të klubit verilindor.